Prishtinë, 24 shkurt 2026 – Dogana e Kosovës njoftoi se rreth 1 milion euro të padeklaruara janë zbuluar dhe kapur në pikëkalimin kufitar mes Kosovës e Serbisë në Merdar.
Dogana tregoi se zbulimi i kësaj shume të parave u bë nga zyrtarët doganorë dhe zyrtarët policorë, gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti dhe se paratë e padeklaruara ishin fshehur “në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”.
“Sot, më 24 shkurt 2026, në pikëkalimin kufitar Merdare, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative. Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim.
“Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro”, thuhet më tutje në njoftim.
“Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore”, tha Dogana.
Ajo theksoi se “përdorimi i teknologjisë së avancuar për kontrolle, si skanerët me rreze X Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme financiare”.
Në janar të këtij viti, në vendkalimin kufitar në Merdar u vendos një skaner mobil “Rapiscan”, me vlerë 3 milionë dollar, që iu dhurua Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me rastin e përurimit të këtij skaneri, Ambasada amerikane në Prishtinë tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojë autoritetet e Kosovës për të luftuar kontrabandën.



(r.m.)