Prezantuesi i televizionit CNN, Don Lemon, është pushuar nga rrjeti i lajmeve pak më shumë se dy muaj pasi u kërkoi falje shikuesve për komentet lidhur me kandidaten republikane për presidente Nikki Haley, njoftoi CNN të hënën.
Njoftimin e bëri në një njoftim për punonjësit që u publikua edhe në llogarinë e CNN-it në Twitter, shefi ekzekutiv i rrjetit, Chris Licht.
CNN and Don have parted ways. Don will forever be a part of the CNN family, and we thank him for his contributions over the past 17 years. We wish him well and will be cheering him on in his future endeavors.
— CNN Communications (@CNNPR) April 24, 2023
“Don do të jetë përgjithmonë pjesë e familjes së CNN-it dhe ne e falënderojmë për kontributin e tij gjatë 17 viteve të fundit. Ne i urojmë atij gjithë të mirat në hapat e tij të ardhshëm”, u shpreh ai.
CNN nuk dha ndonjë sqarim publik për arsyet e largimit të zotit Lemon.
Por në llogarinë e tij në Twitter, vetë zoti Lemon, një nga prezantuesit e e emisionit të mëngjesit “CNN This Morning”, tha se lajmi e kishte gjetur në befasi dhe e karakterizoi veprimin e CNN-it si pushim nga puna.
Ai drejtoi emisionin e mëngjesit të hënën.
“U informova sot në mëngjes nga agjenti im se jam pushuar nga CNN. Jam i shtangur”, shkruante ai në deklaratën në Twitter.
“Pas 17 vitesh në CNN do të kisha menduar se dikush nga drejtuesit do të kishte mirësjelljen të më thoshte drejtpërdrejt. Në asnjë moment nuk më është dhënë asnjë sinjal se nuk do të mund të vazhdoja të bëja punën që dua në (këtë) rrjet”, shkruan ai.
— Don Lemon (@donlemon) April 24, 2023
Pas kësaj deklarate, CNN nxorri një tjetër koment në llogarinë e vet në Twitter, duke thënë se deklarata e zotit Lemon ishte “e pasaktë”.
“Atij iu dha mundësia të takohej me menaxherët, por në vend të kësaj ai nxorri deklaratën e vet në Twitter”, thuhet në koment.
Në mes të shkurtit, Lemon shkaktoi reagime kur gjatë një edicioni të emisionit “CNN This Morning” me bashkë-prezantueset Poppy Harlow dhe Kaitlan Collins për moshat e politikanëve, tha se 51-vjeçarja Haley nuk ishte “në kulmin e saj”.
Ai tha se një grua konsiderohet të jetë në kulmin e saj kur është në të 20-at, 30-at dhe ndoshta të 40-at”.
Ai u sfidua nga bashkëprezantuesja e emisionit Poppy Harlow, që kërkoi që ai të sqaronte se çfarë po përpiqej të thoshte me këtë komente: “Mendoj se ne duhet ta sqarojmë nëse e ke fjalën për mundësinë për të lindur fëmijë apo po flet mbi mundësinë për të qenë president?”
“Mos u përpiq të më kundërvihesh mua sepse thashë disa të vërteta të hidhura, thjesht po them se cilat janë faktet”, u përgjigj me tej Don Lemon. Ai e solli sërish këtë temë në vëmendje një orë më vonë, por u kundërshtua nga komentatorja Audie Cornish.
“Ajo është në kulmin e saj për të kandiduar për këtë post”, tha zonja Cornish për zonjën Haley. “Të jesh në kulmin e karrierës politike, për këtë po flasim”, shtoi ajo.
Po atë ditë zoti Lemon lëshoi një deklaratë duke thënë se i vinte keq për komentet e tij, të cilat u kritikuan gjerësisht. Vetë zonja Haley i quajti ato seksiste si dhe e përdori rastin për të mbledhur fonde.
Më pas ai mungoi nga emisioni për tre ditë, duke u rikthyer një javë më pas duke kërkuar falje në Twitter, por pa përmendur episodin e transmetimit. Zoti Licht i tha personelit në një njoftim në atë kohë se zoti Lemon do t’i nënshtrohej një “trajnimit formal”, por nuk dha hollësi se për çfarë bëhej fjalë.
(Zëri i Amerikës)