Donald Trump arrin në Nju Jork për të dalë para gjykatës

Nju Jork, 3 prill 2023 – Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka arritur të hënën në Nju Jork, ku pritet t’i lexohen akuzat penale, raporton REL.

Republikani 76-vjeçar është presidenti i parë në historinë amerikane që ndiqet penalisht. Të martën ai do të akuzohet zyrtarisht për pagesën që ia ka bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes, pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Mediet e kanë ndjekur Trumpin duke u nisur nga shtëpia e tij në Mar-a-lago të Floridas për në qytetin ku e ka ndërtuar karrierën e tij, me synimet që edhe këtë paraqitje publike ta shfrytëzojë për të rritur mbështetjen për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA.

“Departamenti i korruptuar nuk ka rast”, ka thënë Trump në rrjetin e tij social, Truth Social, duke iu referuar gjykatës në Manhatan që po merret me rastin e tij.

Policia në Nju Jork është përgatitur në nivelin më të lartë për arritjen e Trumpit. Agjentët e Shërbimit Sekret janë angazhuar jashtë Kullës Trump, ku ai do ta kalojë natën, si edhe jashtë gjykatës, ku do të paraqitet të martën pasdite.

Kryetari i Nju Jorkut, Eric Adams, ka paralajmëruar që secili person që proteston dhunshëm “do të arrestohet dhe do ta mbahet përgjegjës, pavarësisht kush është ai”.

“Ndonëse mund të ketë njerëz që mendojnë të vijnë në qytet për të ngacmuar, mesazhi është i qartë dhe i thjeshtë: kontrollojeni veten!’”, ka thënë Adams, në një konferencë për media.

Në paraqitjen e tij në gjykatë, Trump do t’u nënshtrohet procedurave të rregullta ndaj të pandehurit, të cilat përfshijnë fotografimin dhe dhënien e shenjave të gishtërinjve.

(r.m.)