Donald Trump deklaroi sërish se ai e ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë

Uashington, 14 korrik 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar sërisht të hënën se ai e ka parandaluar luftën mes Kosovës dhe Serbisë.

“E ndalëm luftën mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Trump e ka bërë këtë deklaratë gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, duke folur për rastet e ndërhyrjes së tij, të cilat, sipas tij, kanë luajtur një rol kyç në shmangien e përplasjeve të armatosura mes vendeve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi gjatë javës që shkoi në Uashington, i konfirmoi deklaratat e presidentit Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

Emisari i i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, e ka kontestuar deklaratën e Presidentes Osmani. Duke e akuzuar për “manipulim me fjalët deklaratën e Presidentit Trump. Sipas tij, deklarata e Presidentit Trump i referohej angazhimit të tij për normalizim të marrëveshjes së nënshkruar nga Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hotim Shtëpinë e Bardhë/

“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Ëashingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, ka shkruar Grenell në rrjetin social “X”.

Edhe autoritetet serbe kanë thënë se presidentja Osmani po manipulon me deklaratat e Trumpit, për të akuzuar Serbinë.

“Fatkeqësisht, duket se manipulimet dhe fabrikimet janë mënyra e vetme që Osmani dhe Prishtina të marrin vëmendjen e Uashingtonit”, ka shkruar ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq në një postim në X.

Deklaratat e Osmanit i ka hedhur poshtë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk e kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja”, ka thënë ai, më 12 korrik

Por, vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste javët e fundit. Ai ka thënë se e ka parandaluar një konflikt mes tyre, pa e përmendur ndonjë kohë të caktuar.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, ka deklaruar Trump më 29 qershor.

Presidentja Osmani ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media në Prishtinë, sapo të kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Situata në pjesën veriore të Kosovës ishte përshkallëzuar sidomos në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e kishte sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, ku ishte vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre pjesëtarë të grupit të serbëve të armatosur.

Kosova e ka cilësuar këtë si sulm terrorist dhe e ka akuzuar Serbinë se qëndron pas tij, por Beogradi zyrtar e ka mohuar këtë.

(r.m.)