Uashington, 2 gusht 2026 – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se i ka anuluar sulmet kundër Iranit, me kusht që Teherani të pajtohet për një marrëveshje “të shpejtë”.
Në një postim në “Truth Social”, Trump ka thënë se Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme i kërkuan të “përmbahej” nga çdo sulm, pasi ishin pajtuar për “parametrat” e një marrëveshjeje. Sipas tij, kjo marrëveshje do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe dhënien fund të kërcënimit bërthamor të Iranit.
Trump ka thënë se SHBA-ja është “plotësisht e armatosur dhe gati për të vepruar kundër Republikës Islamike të Iranit, me nivele të tmerrit ushtarak, forcës dhe fuqisë që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, por ka vendosur për anulimin e sulmit “për të mirën e së ardhmes së botës, si edhe për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë”.
Kjo deklaratë erdhi pas raportimeve të mediave amerikane se Uashingtoni ishte duke planifikuar sulme të reja intensive ndaj Iranit gjatë fundjavës.
Të shtunën, Teherani ka akuzuar SHBA-në për “përshkallëzim të tensioneve” dhe ka paralajmëruar vendet e rajonit që bashkëpunojnë me Uashingtonin se do të “përfshihen nga flakët e luftës”.
Ndërkohë, qeveria amerikane u ka bërë thirrje amerikanëve në mbarë Lindjen e Mesme të jenë vigjilentë dhe të gatshëm që të largohen nga rajoni “nëse do të ketë përshkallëzim” të tensioneve.
“Amerikanët që ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, si edhe të jenë të përgatitur për anulime fluturimesh, mbyllje të herëpashershme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve”, thuhej në njoftimin e lëshuar të shtunën.
Burime të televizionit “CBS News” kanë thënë se SHBA-ja dhe Izraeli po planifikonin atë që do të ishte një nga fushatatat më të ashpra të bombardimeve të kryera ndonjëherë kundër objektivave të infrastrukturës energjetike në Iran.
Sipas këtyre burimeve, plani i bombardimeve ishte shqyrtuar në mbledhjen e kabinetit të Trumpit, të premten.
Irani nuk i është përgjigjur ende njoftimit të Trumpit.
(r.m.)