Uashington, 24 qershor 2025 – Presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën në mbrëmje, ka njoftuar se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për armëpushim “të plotë”.
“Dua të uroj të dyja shtetet, Izraelin dhe Iranin, për guximin dhe inteligjencën, për t’i dhënë fund asaj që do të quhet ‘Lufta 12-ditëshe’”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale.
“Kjo është luftë që do të mund të vazhdonte për vite dhe do të shkatërronte Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë ashtu”, ka shtuar ai.
Trump ka thënë se armëpushimi do të hynte në fuqi “afërsisht gjashtë orë prej tani”, pasi secili shtet t’i ketë përfunduar operacionet ushtarake.
Edhe Irani dhe Izraeli njoftuan më pas publikisht se janë pajtuar për marrëveshjen që ishte paraparë të hynte në fuqi në mëngjes. Gjatë natës, para se të hynte në fuqi armëpushimi, të dyja palët shkëmbyen sulme të mëdha.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se një valë raketash nga Izraeli e kanë goditur Teheranin dhe qytete të tjera të Iranit. Sipas raportimeve, në këto godtje janë vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë një shkencëtar bërthamor.
Ndërjaq, Izraeli ka raportuar për të paktën katër të vrarë dhe 22 të plagosur në qytetin Beersheba
Në orën 07:08, Donald Trump shkroi në rrjetet sociale se armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit kishte hyrë në fuqi.
Por, në orën 09:30, ushtria izraelite tha se në veri të Izraelit i kishte shkatërruar disa raketa të lëshuara nga Irani. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, është zotuar se Izraeli do të përgjigjej “me forcë” ndaj këtij sulmi.
Por, Teherani ka mohuar të ketë lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit. Televizioni shtetëror Iranian raportoi se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit që përfshin ushtrinë e rregullt dhe Gardën Revolucionare e ka mohuar sulmin.
(r.m.)