Donald Trump thotë se nuk do të marrë pjesë në debatet zgjedhore të republikanëve

Uashington, 21 gusht 2023 – Ish presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi të dielën se do të anashkalojë debatin e parë presidencial republikan të së mërkurës, por edhe debatet tjera gjithashtu.

“Publiku e di se kush jam dhe ç’presidencë të suksesshme kam pasur”, shkroi zoti Trump në faqen e tij të mediave sociale. “PRANDAJ NUK DO TË BËJ DEBATE”!

Zëdhënësi i tij nuk sqaroi menjëherë nëse ai planifikon të bojkotojë çdo debat paraprak apo vetëm ato që janë planifikuar aktualisht.

Ish-presidenti kishte thënë për muaj të tërë se ai sheh pak përparësi në përballjen me rivalët e tij republikanë kur ata të mblidhen për herë të parë në Milwaukee të mërkurën, duke pasur parasysh epërsinë e tij në garë. Ai ua kishte bërë të qartë atyre me të cilët kishte folur ditët e fundit se mendimi i tij nuk kishte ndryshuar.

“Pse do të lejoja që njerëzit me 1 ose 2 për qind ose 0 për qind të më godasin me pyetje gjatë gjithë natës? ”, tha ai në një intervistë në muajin qershor me drejtuesin e Fox News, Bret Baier, i cili do të shërbejë si moderator i debatit të së mërkurës.

Gjithashtu zoti Trump ka kritikuar vazhdimisht Fox-in që është nikoqir i ngjarjes së 23 gushtit, duke e cilësuar si “rrjet armiqësor” që ai beson se nuk do ta trajtojë me drejtësi.

Mundësi të tjera

Zoti Trump ka diskutuar një sërë mundësish të tjera për debate, përfshirë një intervistë me ish prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, i cili drejton një shfaqje në faqen e internetit të njohur më parë si Twitter.

Zoti Carlson u pa në klubin e golfit të zotit Trump në Bedminster, New Jersey, përpara njoftimit, sipas një personi të njohur me çështjen i cili foli me kusht që të mos identifikohet sepse nuk ishte i autorizuar për ta diskutuar atë. New York Times raportoi të shtunën se intervista që do të transmetohet të mërkurën, tashmë është regjistruar.

“Nuk mund të konfirmojmë ose mohojmë – qëndroni me ne”, tha zëdhënësi i zotit Trump, Steven Cheung.

Ideja kishte qenë një nga disa alternativat që zoti Trump kishte përmendur gjatë bisedave javët e fundit.

Ato përfshinin mundësinë e paraqitjes në Milwaukee në minutën e fundit ose pjesëmarrjen por nga audienca dhe ofrimin e komenteve të drejtpërdrejta në faqen e tij të “Truth Social”.

Ai kishte diskutuar gjithashtu mundësinë e lidhjes në rrjete të ndryshme për të tërhequr vëmendjen e shikuesve nga debati, ose mbajtjen e një tubimi në vend të pjesëmarrjes në debat.

Përplasjet me Fox-in

Vendimi shënon një tjetër kapitull në grindjen e vazhdueshme të zotit Trump me kanalin Fox që dikur ishte një mbështetës i vendosur, por tani perceptohet si më favorizues për rivalin e tij kryesor, guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.

Drejtuesit e Fox-it shtuan përpjekjet për ta bindur zotin Trump të merrte pjesë, qoftë privatisht por edhe përmes valëve të rrjetit. Por zoti Trump, sipas një personi të afërt me të, ishte i palëkundur duke besuar se drejtuesit nuk do ta donin atë në debat nëse nuk do të ishin të shqetësuar për vete.

Një person i afërt me çështjen tha të dielën se zoti Trump dhe ekipi i tij nuk e kishin njoftuar Komitetin Kombëtar Republikan për planet e tij.

Ndërkohë, rivalët e zotit Trump e kanë nxitur atë të shfaqej në debat dhe janë përgatitur me shpresën se do të mund të merrte pjesë, të shqetësuar se mospjesëmarrja mund t’i bënte ata të dukeshin si kandidatë të nivelit të dytë dhe t’u mohonte mundësinë për t’i dhënë një goditje Goliatit të garës, gjë që mund të ndryshonte rrjedhën e saj.

Ish guvernatori i Nju Jerseyt Chris Christie, një nga të paktët kandidatë që dëshiron të përballet drejtpërdrejt me zotin Trumpin, e ka akuzuar ish presidentin se nuk ka “guxim për t’u shfaqur” dhe e ka quajtur atë “frikacak” nëse nuk e bën një gjë të tillë.

Një grup i ashtuquajtur super PAC që mbështet zotin DeSantis publikoi një reklamë në të cilën thuhet se “nuk mund të përballojmë një kandidat që është shumë i dobët për të debatuar”.

Dhe në një postim të dielën në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter, zëdhënësi i fushatës së zotit DeSantis, Andrew Romeo tha se guvernatori i Floridës mezi priste të ndante pikëpamjet e tij të mërkurën mbi atë se çfarë do të bëjë si president sepse “askush nuk ka privilegjin e emërimit, duke përfshirë zotin Donald Trump. Duhet të paraqitesh dhe ta fitosh atë”.

Zoti Trump u është kundërvënë sulmeve, duke i thënë Eric Bollingut në Newsmax se ai sheh pak përfitime nga pjesëmarrja kur ai tashmë kryeson me një diferencë të madhe.

“Nuk është çështje guximi. Është çështje inteligjence”, tha ai.

Zotimi i besnikërisë

Zoti Trump ka thënë gjithashtu se nuk do të nënshkruajë një zotim për të mbështetur kandidatin e mundshëm republikan nëse ai humbet emërimin, një kërkesë e vendosur nga Komiteti Kombëtar Republikan.

“Pse do ta firmosja?”, tha ai. “Unë mund të emëroj tre ose katër njerëz që nuk do t’i mbështesja për president. Pra, aty ka një problem”.

Megjithatë, këshilltarët e tij këmbëngulën për javë të tëra se ai nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar, edhe pse ata pranuan se ishte “shumë e qartë” nga deklaratat e tij publike dhe private se nuk kishte gjasa të paraqitej.

Debatet e mëparshme

Nuk është hera e parë që zoti Trump ka zgjedhur të anashkalojë një debat të madh të republikanëve.

Gjatë fushatës së tij të vitit 2016, zoti Trump vendosi të hiqte dorë nga përballja përfundimtare kryesore e republikanëve përpara zgjedhjeve paraprake në Iowa duke zhvilluar një manifestim të fushatës së tij në një ngjarje për mbledhje fondesh për veteranët.

Ndërsa ngjarja e vuri atë në titujt kryesorë dhe tërhoqi vëmendjen nga rivalët e tij, zoti Trump humbi zgjedhjet paraprake në Iowa përballë senatorit Ted Cruz nga Teksasi, një humbje që disa ish ndihmës thanë se ishte pasojë, të paktën pjesërisht, e vendimit të tij për të anashkaluar debatin.

Në vitin 2020, zoti Trump u tërhoq nga debati i dytë i zgjedhjeve kundër tashmë presidentit Joe Biden pasi Komisioni për Debatet Presidenciale, një grup jopartiak që ka organizuar debate zgjedhore për më shumë se tre dekada, u përpoq ta bënte atë virtualisht pasi zoti Trump doli pozitiv në testin për COVID 19. Zoti Trump refuzoi, duke thënë se do të debatonte vetëm në skenë.

Zoti Trump nuk është i vetmi kandidat që ka të ngjarë të mungojë në debatin e së mërkurës. Disa rivalë më pak të njohur duket se nuk kanë gjasa të arrijnë pragun e vendosur nga Komiteti Kombëtar Republikan për të marrë pjesë. Për t’u kualifikuar, kandidatët duhet të kenë marrë kontribute nga të paktën 40,000 donatorë individualë, me të paktën 200 donatorë të veçantë në 20 ose më shumë shtete. Ata gjithashtu duhet të kenë 1 për qind të votave në tri anketa të caktuara kombëtare, ose në një kombinim anketash kombëtare dhe atyre të hershme shtetërore, midis 1 korrikut dhe 21 gushtit.

Kandidatët që kanë përmbushur kualifikimet përfshijnë zotin DeSantis, zotin Christie, ish nënpresidentin Mike Pence, sipërmarrësin e teknologjisë Vivek Ramaswamy, ish guvernatorin e Karolinës së Jugut Nikki Haley dhe senatorin e Karolinës së Jugut Tim Scott.

Përtej kërkesave për mbledhjen e fondeve dhe votimit, Komiteti Kombëtar Republikan ka thënë se kandidatët duhet gjithashtu të nënshkruajnë premtimin se pajtohen të mbështesin kandidatin e mundshëm të partisë, si dhe të pranojnë të mos marrin pjesë në asnjë debat të sanksionuar nga Komiteti për pjesën e mbetur të ciklit zgjedhor. Komiteti Kombëtar Republikan po bojkoton ngjarjet e organizuara nga Komisioni për Debatet Presidenciale, duke pretenduar njëanshmëri.

“Unë pohoj se nëse nuk fitoj nominimin republikan për President të Shteteve të Bashkuara në vitin t 2024, do të nderoj vullnetin e votuesve dhe do të mbështes kandidatin për të shpëtuar vendin tonë dhe për të mposhtur zotin Joe Biden”, thuhet në zotim, sipas në një kopjeje të postuar nga zoti DeSantis në faqen e mediave sociale X.

Kandidatët gjithashtu duhet të zotohen se nuk do të garojnë si të pavarur, ose të emëruar nga palët e treta.

Ndërsa disa kandidatë, duke përfshirë zotin Christie dhe ish guvernatorin e Arkansasit, Asa Hutchinson, kanë ngritur pikëpyetje rreth kërkesës, ish përfaqësuesi i Teksasit Will Hurd deri më tani është i vetmi që ka thënë përfundimisht se ai nuk do ta nënshkruajë zotimin sepse refuzon ta mbështesë zotin Trump nëse ai bëhet kandidati përfundimtar.

Zoti Christie ka thënë se do të nënshkruajë gjithçka që nevojitet për t’u ngjitur në skenë.

Përveç shprehjes së kundërshtimit ndaj zotimit të besnikërisë, ish presidenti Trump ka lënë të kuptohet se është kundër bojkotimit të debateve zgjedhore të organizuara nga Komisioni për Debatet Presidenciale.

“Ju keni, me të vërtetë, një detyrim për ta bërë këtë”, tha ai në një intervistë në radio këtë pranverë.

(Zëri i Amerikës)