Prishtinë, 16 shkurt 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes një letre dërguar Presidentes Vjosa Osmani e ka uruar popullin e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara juve dhe popullit të Kosovës jua përcjell urimet e mia ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj më 17 shkurt”, i ka shkruar Presidenti Trump Presidentes Osmani.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundur në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Po ashtu, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah për krah me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për të mirën e përbashkët.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndërsa marrëdhëniet tona vazhdojnë të thellohen, ne presim me padurim ta zgjerojmë partneritetin tonë, përfshirë përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve që nxisin prosperitetin e përbashkët. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah për krah me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin në interesd të ndërsjellë”, ka shkruar ai.
Presidenti Trump e ka falënderuar Presidenten Osmani dhe gjithë popullin e Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për ndërprerjen e konflikteve dhe vendosjen e paqes në botë dhe e ka mirëpritur përfshirjen e Kosovës në themelimin e Bordit të Paqes.
“Dua t’ju falënderoj juve dhe të gjithë kosovarët për mbështetjen tuaj të vazhdueshme ndaj përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të zgjidhur sfidat globale në Ukrainë, në Gaza dhe gjetkë. Gjithashtu, e mirëpres Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më prosperuese”, thuhet në letrën e Trumpit.
“Ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi përparimin e Kosovës drejt një bashkëpunimi dhe partneriteti edhe më të forte”, përfundon Presidenti Trump në letrën dërguar Presidentes Osmani.

SHBA-ja ka qenë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008. Shtetësia e Kosovës sot njihet nga 121 shtete të botës.
(r.m.)