Donjeta Sadiku e fiton medaljen e artë, e mund në finale përfaqësuesen e Serbisë

Taranto, 27 gusht 2026 – Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në kategorinë deri në 60 kilogramë.

Në duelin final, ajo e mposhti garuesen e Serbisë, Kristina Kuluhova.  Boksierja ruse që e përfaqësoi Serbinë u tërhoq në raundin e dytë të duelit, pasi e pësoi një lëndim në vetull.

Në raundin e parë, Donjeta dominoi ndaj kundërshtares, të cilën e goditi saktë disa herë, sidomos në kokë, Edhe raundin e dytë, ajo e filloi shumë mirë, duke i dhënë disa goditje boksieres së Serbisë, e cila e pësoi një lëndim në vetull që e bëri ta dorëzonte luftën.

Donjeta Sadiku shkëlqeu edhe në dy duelet paraprake. Në çerekfinale ajo mundi turken Esmanur Lok me rezultat 4:1, ndërsa në gjysmëfinale fitoi 5:0 ndaj grekes Sofia Legaki, me vendim unanim të referëve.

Pasi u shpall fituese, boksierja kosovare e bëri një gjest të madh sportiv, duke përshendetur garuesen dhe trajnerin e Serbisë.

Por, boksierja e Serbisë, Kristina Kuluhova, nuk doli në skenë për të pranuar medaljen e argjendtë të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026″.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar boksieren Donjeta Sadiku dhe trajneren Mariola Sallauka për medaljen e artë të fituar në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Ai e ka cilësuar sukses të madh për Donjetën, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës.

“Sapo morëm një lajm të jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’.  Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë. Ajo ka triumfuar në finale ndaj ruses Kristina Kuluhova, e cila garoi për Serbinë. Ky është një sukses i madh për Donjetën, për ekipin tonë që ndodhet në Taranto, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës.  Donjetës dhe trajneres Mariola Sallauka urime për këtë fitore të madhe!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

(r.m.)

Comment

*