Dosja “Epstein” po kthehet në problem serioz për Trumpin

Uashington, 24 korrik 2025 – Presioni ndaj administratës së Presidentit Trump për të publikuar dosjen “Epstein” po rritet, ndonëse Trump po përpiqet ta mbyllë këtë çështje.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se është tejet i zemëruar. Një burim pranë Shtëpisë së Bardhë në anonimitet të plotë, tha se kjo është hera e parë që ai e sheh Shtëpinë e Bardhë të paralizuar, ka cituar revista Politico.

Mënyra si po veprohet me dokumentet e Epstein nga qeveria i ka zemëruar edhe mbështetësit më besnikë të MAGA-s. Në mbledhjen e fundit të kabinetit, Trump i pyeti gazetarët e pranishëm: “Ende flisni për Epstein? E pabesueshme!”. Kjo u tha dy javë më parë. Por, Amerika ende po flet për këtë: politikanë, gazetarë dhe qytetarë.

Wall Street Journal dhe New York Times raportuan së fundmi se Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi e kishte informuar Trumpin që në maj se emri i tij shfaqej në dosjet e Epsteinit ende të papublikuara. Megjithatë, mbetet e paqartë në çfarë konteksti.

Emri i Trumpit shfaqej gjithashtu në dokumente të publikuara më parë në lidhje me çështjen Epstein, po megjithatë ai nuk u akuzua për ndonjë shkelje.

Përkrahësit e Trump të pakënaqur

Amerikanët janë të pakënaqur me mënyrën se si qeveria e SHBA po e trajton çështjen Epstein, tregojnë sondazhet. Një sondazh i publikuar nga Economist të martën zbuloi se 56 për qind e të anketuarve nuk e miratojnë mënyrën se si presidenti e trajtoi hetimin mbi rastin Epstein. Vetëm 22 për qind mendojnë se ai u trajtua në mënyrë korrekte. Sondazhet e tjera kanë arritur në rezultate të ngjashme.

Shumica dërrmuese e amerikanëve – 89 për qind e demokratëve dhe 73 për qind e republikanëve – besojnë se qeveria duhet të publikojë të gjitha dokumentet e Epstein, sipas sondazhit. Kjo është pikërisht ajo që Trump edhe e premtoi gjatë fushatës së tij. Pasi Departamenti i Drejtësisë u tërhoq nga publikimi, shumë mbështetës të Trump – përfshirë politikanë republikanë dhe demokratë në veçanti – janë të frustruar dhe ndihen të tradhtuar.

“Çfarë po fshihni nga populli amerikan?”

Politikani demokrat për pakicat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi: “Donald Trump dhe anëtarët republikanë kanë fuqinë për të publikuar dosjet e Epstein sot. Ata refuzojnë ta bëjnë këtë. Çfarë po fshehin ata nga populli amerikan?”

Jeffries reagoi ndaj një veprimi të pazakontë të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanit Mike Johnson, që e dërgoi menjëherë Dhomën në pushim të hershëm veror.

Në këtë mënyrë, Johnson e parandaloi një votim për publikimin e dokumenteve të Epstein. Një iniciativë e mbështetur jo vetëm nga demokratët, por edhe nga republikanët me gjasë do të kishte marrë shumicën.

Taktika e Trumpit – manovra shpërqëndrimi

Ndërkohë, Donald Trump ndjek taktikën e largimit të vëmendjes. Qoftë me kërkesën e tij që ekipi i futbollit Washington Commanders të rikthehet në emrin e tij të vjetër, “Redskins”, përndryshe ai nuk do ta mbështesë ndërtimin e planifikuar të stadiumit. Ose me publikimin e dosjeve të Martin Luther King Jr. – pikërisht ndërsa po zhvillohet debati për Epstein. Ose me një video të gjeneruar nga inteligjenca artificiale e të publikuar nga Trump, në të cilën ish-Presidenti Barack Obama arrestohet në Zyrën Ovale.

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta larguar vëmendjen, çështja Epstein nuk po zhduket. Përfaqësuesja Marjorie Taylor Greene, e cila përndryshe është shumë besnike ndaj Trump, parashikon: “Nëse nuk ka drejtësi dhe llogaridhënie, njerëzve u vjen në majë të hundës”.

Trumpit i pëlqen ta paraqesë veten si një njeri nga jashtë politikës që dëshiron të “thajë moçalin në Uashington” dhe të ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Ai ka premtuar transparencë. Kjo i bën mbështetësit e tij edhe më të zhgënjyer. Ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje për pyetjen se pse Trump nuk dëshiron të publikojë dosjet e Epstein.

A dëshiron Trump t’i mbrojë miqtë e tij miliarderë nga shoqëria e lartë, apo edhe veten? Mediat sociale janë të mbushura me spekulime.

Për momentin, nuk duket se zemërimi do të zhduket shpejt. Edhe pushimet e hershme verore të deputetëve nuk ka gjasa të ndihmojnë. Shumë prej tyre do të duhet të përballen me pyetje të pakëndshme nga zgjedhësit e tyre në zonat e tyre zgjedhore.

(DW)