Nga dr. Sadik Elshani
Më 3 shkurt na erdhi edhe një lajm i hidhur nga Holanda: ka ndërruar jetë dr. Besnik Bodo, vetëm një muaj pas ndarjes nga kjo botë të bashkëshortes, Elvirës. Shoqata jonë, “Bijtë e shqipes” organizoi një veprimtari përkujtimore në kujtim të Elvirës, por në këtë veprimtari u fol mjaft edhe për dr. Besnikun, sepse ata ishin të pandarë. Çifti Budo ishin anëtarë të grupit themelues të shoqatës sonë dhe si të tillë kanë dhënë ndihmesën e tyre të pakursyeshme për mbarëvajtjen e punës, veprimtarive të saj. Sidomos, zhvillimin e suksesshëm të punës së shkollës shqipe. Elvira për shumë vite ishte anëtare e Këshillit Drejtues dhe Besniku gjithmonë e shoqëronte në mbledhjet tona. Siç u cek edhe në shkrimin që bëmë për Elvirën, ata ishin gjithmonë të pranishëm në të gjitha veprimtaritë që organizonte shoqata jonë. Dr. Besniku me urtësinë, personalitetin e tij fisnik e njerëzor ishte një figurë që rrezatonte, respekt e mirësi. Një njeri atdhetar i flakte, gjithmonë shprehte dashurinë e tij për të gjitha trojet shqiptare. Ai kishte një dashuri të pakufijshme për Kosovën, dashuri që ia kishte brumosur daja i tij, i cili kishte shërbyer në Kosovë në vitet 1941 – 1944. Daja i kishte rrëfyer për historinë, trimërinë, atdhedashurinë e shqiptarëve të Kosovës. Edhe në takimet tona të shpeshta, në bisedat tona,gjithmonë flisnim për Kosovën. Shqetësohej kur dëgjonte për ndonjë padrejtësi që i bëhej Kosovës, kur ndodhte ndonjë incident apo provokim nga ana e Serbisë, por gjithmonë e siguroja se për Kosovën nuk ka më kthim prapa – liria e pavarësia e saj janë të paprekshme e të panegociushme. Me shumë mall po i kujtoj ato bisada tonat tani kur këto ditë po e festojmë 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me shumë veprimtari, mbrëmje festive e ngritjen solemne të flamurit të Kosovës në bashkinë e Filadelfias
Neve si shoqatë e komunitet na kanë mbetur në kujtesë shumë çaste të bukura me Besnikun dhe Elvirën, kujtime që do t’i ruajmë si një thesar i çmuar. Kur sopranoja jonë e famshme, Ermonela Jaho, vizitoi shoqatën tonë në tetor të vitit 2006, ajo e befasuar, shumë u emocionua kur e takoi dr. Besnikun. Aty morëm vesh se dr. Besniku kishte qenë njëri nga profesorët e saj, i kishte mësuar mekanizmin, teknikat, fiziologjinë e zërit. Siç mund të vihet re nga titulli profesional, dr. Besniku ka qenë mjek, i diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, ku ka kryer edhe specializimin për mjekësi ushtarake. Specializimi i tij ka qenë për otorinolaringologji (hundë, gojë e fyt). Për shumë vite ka punuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ai gjithmonë u ka ndihmuar njerëzve, pacientëve të tij. Shpesh njerëzit i shkonin edhe në shtëpinë e tij për t’i kërkuar ndihmë mjekësore. Të gjithëve ua ka hapur derën dhe u ka ardhur në ndihmë. Profesioni prej mjeku ka bërë që Besniku të ishte një njeri i kujdesshëm, fisnik e shumë human – një figurë atërore për të gjthë ne. Burrë tipik shqiptar, i pajisur me virtytet më të mira të kombit tonë: besës, mikpritjes, atdhedashurisë – prind, gjysh e bashkëshort shembullor. Shoqata jonë gjatë rrugëtimit të saj mbi njëzetvjeçarë ka nderuar e përkujtuar shumë figura të ndritura të kombit tonë, por ajo nderon edhe anëtarët e saj. Në një nga ceremonitë e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar në bashkinë e Philadelphias, ngritës të flamurit (flamurtarë) ishin edhe çifti Budo.
Ashtu siç kanë jetuar tërë jetën së bashku me Elvirën të lumtur e në harmoni bashkëshortore, ashtu u larguan nga kjo botë brenda një muaji, njëri pas tjetrit. Nuk mundnin njëri pa tjetrin, së bashku në jetë, së bashku në amshim, përjetësi. Në mënyrë pak pikëlluese sikur na sjell ndërmend motivet e një kënge të Edit Piafit, “L’hymn a l’amour” (“Himni i dashurisë”): “Ne do të kemi për vete amshimin…/Zoti i bashkon ata që duhen” (Nous aurons pour nous l’eternite…/ Dieu reunit ceux qui s’aiment”). Familjes: vajzave, mbesave e nipit, farefisit, u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Brenda një kohe të shkurtër humbëm dy anëtarë të përkushtuar, dy qenie njerëzore të mrekullueshme.U prehshin në paqe! E neve le të na mbesin në kujtesë çastet e lumtura, mirënjohës e falenderues që i kishim në mesin tonë, që ishin e do të mbesin pjesë e jetës sonë.
Filadelfia, më 18 shkurt 2024.