Dr Rifat Latifi afirmon shtetin e Kosovës dhe mjekësinë kosovare në Amerikën Latine

Buenos Aires (Argjentinë), 17 gusht 2023 – Kolegji i Kirurgëve të Kosovës njoftoi se kryetari i këtij kolegji, Prof. Dr. Rifat Latifi, ka realizuar një vizitë pune disaditëshe në pesë vende të Amerikëa Latine.

Në ndalesën e tij të parë, në kryeqytetin e Bolivisë, Sucre, Dr. Latifi e ka takuar kryetarin e Shoqatës së Kirurgëve të Bolivisë, Dr. Gregorio Valda. Ata janë dakorduar të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi mes këtyre dy organizatave të mëdha të kirurgëve.

Ditën e fundit në Bolivi, Dr. Latifi e ka kaluar në Santa Kruz, ku është takuar me kirurgë të tjerë dhe me drejtorin e klinikës së famshme “Foianini”, Prof. Dr. Esteban Foianini, i cili ka lindur dhe është edukuar në SHBA. Ai ka shërbyer edhe në Kosovë me forcat amerikane të KFOR-it, menjëherë pas luftës, ku ka mjekuar shumë qytetarë të Kosovës në kampin Bondstil, në Gjilan dhe në Mitrovicë.

Në këtë takim është arritur pajtimi që Dr. Foianini dhe shumë kirurgë të tjerë nga Amerika Latine të marrin pjesë në Kongresin e Katërt të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, në vjeshtë të vitit 2024.

Në Argjentinë, Dr. Latifi e ka vizituar Universitetin e Buenos Airesit, ku e ka mbajtur një ligjëratë, me ftesë të Prof. Dr. Alberto Ferreres, profesor dhe drejtor i Departamentit të Hulumtimeve Shkencore dh të Departamentit të Kirurgjisë së Universitetit të Buenos Airesit.

Në ligjëratën e tij, me temë “Menaxhimi dhe Rekonstruktimi i Defekteve të Mëdha e Komplekse të Abdomenit”, Dr. Latifi ka përmendur studimet fillestare te botuara në vitin 1951, dhe kontributin e madh të Profesorit të Kirurgjisë dhe të Anatomisë së këtij universiteti, arbëreshit Dr. Alfonnso Albanese, i njohur në fushën e rindërtimit të murit abdominal, për çka vetë Dr. Latifi konsideohet si njëri nga ekspertët më të mirë në botë.

Interesim shumë i madh për këtë ligjëratë është vërejtur nga kirurgët, specialistët,specializantët dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Buenos Aires, ku Dr Latifi është pritur jashtëzakonisht mirë.

Në fund të ligjëratës, Dr Latifi është shpallur anëtar nderi në Departamentin e Kirurgjisë të Spitali Universitar të Buenos Airesit.

Pas ligjëratës, Dr. Latifi e ka vizituar Departamentin e Anatomisë, të cilin e ka udhëhequr për shumë dekada Prof. Dr. Albanese, ku gëzon respek të madh te studentët dhe stafi i departamentit.

Në fund të vizitës së tij, në Buenos Aires, Dr Latifi është pritur nga drejtori i Fondacionit të Traumës, Prof. Dr. Jorge Neira, i cili e ka lansuar tezën se trauma është sëmundje preventive, e cila është miratuar nga 47 akademi të shkencave në botë.

Këtu Dr Latifi është njoftuar me ecurinë e këtij fondacioni, i cili po e shtrin regjistrin elektronik të traumës në 24 provinca të Argjentinës. Aty është diskutuar edhe për konceptin Dr Neira, duke përmendur edhe strategjinë e International Virtual e-Hospital Foundation, që ka krijuar shumë programe të Telemjekësisë në botë, përfshirë Kosovën. Dr. Latifi e ka ftuar Dr. Neira të vizitojë Kosovën vitin e ardhshëm, ftesë të cilën ai e ka pranuar me kënaqësi.

Dr. Rifat Latifi e konsideron diplomacinë mjekësore si mjet për afirmimin e Kosovës, si në planin professional, ashtu edhe në planin politik.

“Vetëm përmes marrëdhënieve solide ndërkombëtare ne mund të avancohemi dhe bota mund të na njohë si komb, shtet, por edhe si kirurgë dhe si shkencëtarë. Por, në mënyrë që bota të mësojë më shumë për ne, të mësojë se çfarë po bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë, ne duhet të njihemi në fushë të shkencës”, ka thënë ai, pas përfundimit të vizitës.

“Ne nuk duhet t’i frikësohemi konkurrencës shkencore dhe kirurgjike dhe as asaj mjekësore në përgjithësi. Për të qenë në gjendje të konkurrojmë, ne duhet të jemi shumë të përgatitur, të ditur e të hapur dhe të punojmë 24 orë në ditë”, ka shtuar ai.

Së shpejti, Kolegji i Kirurgëve të Kosovës pritet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Kirurgëve të Argjentinës, si edhe me shoqatat e vendet të tjera latino-amerikane që i ka vizituar këto ditë Prof. Dr Rifat Latifi.

(r.m.)