“Drejtësi, jo politikë”, dhjetëra mijëra qytetarë kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Prishtinë, 17 shkurt 2026 – Dhejtra mijëra qytetarë të Kosovës dhe trevave tjera shqiptare morën pjesë në protestën me moton “Drejtësi, jo politikë”, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Kosovës Hagë. 

Ismail Tasholli, njëri ndër themeluesit e platformës “Liria ka emër” që e organizoi protestën, tha se lufta e UCK-së ishte luftë çlirimtare dhe ajo nuk mund të barazohet me agresorin serb.

“Duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. UÇK-ja nuk lindi për të marrë tokë të huaj, por për ta mbrojtur tokën e vet. Kjo është e vërteta historike që nuk mund të ndryshohet. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës ta barazojnë viktimën me agresorin”, tha ai.

Tasholli tha se drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe e dirigjuar, por duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë për të gjithë.

“Qytetarët duan Drejtësi, Jo Politikë. E sot, nga kjo ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë – për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët. ‘Ju nuk jeni vetëm. Pas jush qëndron një popull i tanë. Pas jush qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë”, theksoi ai.

Tasholli tha se populli i Kosovës nuk mund të pranoj që procese që zhvillohen në emër tij të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën, apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë.

“Nëse drejtësia devijon nga parimet e barazisë dhe paanshmërisë, dhe kur gjyqi në Hagë thirret se vepron “në emër të popullit të Kosovës”, atëherë ne kemi të drejtë morale dhe qytetare të themi qartë: jo në emrin tim, jo në emrin tonë”, tha ai.

Tasholli kujtoi krimet e agresionit serb në Kosovë, të cilat janë ende plagë të hapura të hapura.

“Mbi 12 mijë qytetarë të vrarë e të masakruar. Mbi 1600 persona ende të pagjetur. Mbi 1500 fëmijë nën moshën 18-vjeçare, të vrarë. Mbi 20 mijë gra të dhunuara. Mbi 1 milion qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Mbi 500 mijë shtëpi të djegura, bashkë me shkolla, spitale e institucione. Rreth 3 mijë dëshmorë dhe mbi 3 mijë të plagosur. Këto nuk janë vetëm statistika. Janë plagë të hapura. Janë familje që presin. Janë nana që s’e dinë ku e kanë vajzën apo djalin. Janë fëmijë që u rritën pa prindër. Janë gra që e mbajnë dhimbjen si barrë të heshtur. Janë qytete të tëra që u zbrazën me dhunë. Prandaj duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. Mes atij që erdhi për të pushtuar, për të djegur e për të dëbuar, dhe atij që u ngrit për t’u mbrojtur. Mes një lufte pushtuese dhe një lufte çlirimtare”, theksoi Tasholli.

Vasfije Krasniqi – Goodman, e cila ishte zëri i parë i vajzave dhe grave që ishin viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, tha se Dita e Pavarësisë është ditë krenarie dhe përkujtimi për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit.

“Sot është ditë krenarie, por edhe përkujtim për ata që u flijuan për lirinë tonë. Kjo liri nuk erdhi vetvetiu. Ajo u fitua me gjak e sakrificë, një qëndresë që ka zgjatur me shekuj”, tha ajo.

Krasniqi – Goodman theksoi se drejtësia duhet të merret me krimet që i ka kryer Serbia dhe kërkoi lirimin nga akuzat t ëish-krerëve të UÇK-së. 

“Ne flasim për drejtësi, për krimet që i kreu Serbia në Kosovë. Ne jemi për t’i liruar ata nga Haga. Ajo që e bashkon popullin tonë është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit të gjithëve ju që i shërbyet atdheut kur kishte nevojë”, theksoi ajo.

Muhamer Ibrahimi, ish-pjesëtar i UÇK-së, tha se çlirimtarët nuk frikësohen nga drejtësia, por kërkojnë drejtësi të paanshme.

“Ne nuk kemi frikë nga drejtësia, sepse kush lufton për liri nuk i frikësohet të vërtetës. Ne kemi të drejtë të kërkojmë drejtësi të paanshme. UÇK-ja nuk ishte organizim për mbijetesë, për mburojë për fëmijët, gratë e pleqtë. Ishte përgjigja e një populli që po zhdukej. Sot kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm”, tha ai. 

Shqipe Krasniqi, ish-pjesëtare e UÇK-së, tha se protesta “Drejtësi, jo politikë” është zëri i luftëtarëve të lirisë dhe zëri I atyre që kanë rënë për lirinë. Ajo bëri thirrje që të gjithë qytetarët e Kosovës të ngrenë zërin kundër tendencave për rishkrimin e historisë së luftës çlirimtare të Kosovës.

“Heshtja është dorëzim dhe ky popull nuk di të dorëzohet”, theksoi ajo.

Lirim Haziri, biri i Xhavit Hazirit, njërit nga bashkëthemeluesit e UÇK-së, i cili është zhdukur që nga viti 1998, tha se qytetarët e Kosovës sot janë pjesëtarë të familjeve të çlirimtare që po gjykohen në Hagë dhe nuk do ta kokën para padrejtësisë.

“Ne sot të mbledhur këtu nuk jemi familje të ndara, por jemi një familje e madhe e sakrificës. Jemi familja e Rexhës, familja e bacit Jakup, familja e Veselit dhe familja e Hashimit. Sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm këtyre familjeve, i përket të gjithë kombit. Prandaj 17 shkurti nuk është vetëm festë, është betim që nuk e harrojmë sakrificën, betim që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë. Betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë. Nuk do të lejojmë që sakrifica të barazohet me fajin”, theksoi ai. 

Organizatorët e protestës nga platforma “Liria ka Emër” vendosën 5000 emblema të UÇK-së në obeliskun e pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, I cili një ditë më parë ishte rrethuar me kangjella në të cilin ishte vendosur tabela me mbishkrimin “Kosova e burgosur!” me logon e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

(r.m.)