Drejtori i IML për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit: Vetëm policia ka qasje në video-regjistrime

Prishtinë, 19 shkurt 2023 – Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Dr Ditor Haliti, ka thënë se askush përveç policisë nuk ka qasje në video-regjistrimet e kamerave të hapësirave të këtij instituti, përfshirë edhe ato të laboratorit ku janë mbajtur mostrat e ish-aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Dr Haliti ka thënë se policia i ka marrë serverët ku regjistrohen imazhet e kamerave dhe se askush nga instituti nuk ka asnjë informatë nëse ka ndonjë regjistrim apo ndonjë fakt rreth zhdukjes së këtyre mostrave nga laboratori.

“Ne i kemi kamerat të cilat e survejojnë hapësirat e Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke përfshirë edhe ato të laboratorit. Ato incizohen në serverët tanë, të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë. Për momentin vetëm policia ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, ka thënë ai për RTK.

Dr Haliti nuk ka dashur të komentojë deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë qasje në video-regjistrimet e laboratorit nga i cili janë zhdukur nga laboratori. Ai ka thënë se vetëm policia mund të thotë nëse videoregjistrimet i janë dorëzuar edhe dikujt tjetër.

Dr Haliti konfirmoi se katër punëtorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që ishin suspenduar nga puna pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit janë kthyer në punë me vendim të komisionit të ankesave të institutit.

Genc Nimoni, shef i kabintetit të Ministrisë së Drejtësisë, ka thënë se vendimi i komisionit të ankesave bazohet në Ligjin për Shërbyes Publikë.

“Siç jeni në dijeni, komisioni disiplinor i ka suspenduar zyrtarët në fjalë, mirëpo të njëjtit janë kthyer në punë nga komisioni i ankesave”, ka thënë Nimoni për Kallxo.com.

Sipas tij, ministria e Drejtësisë dhe kabineti i saj nuk kanë kurrfarë ndikimi në procesin e vendimarrjes brenda institucioneve. 

“Të dy komisionet (e Institutit të Mjekësisë Ligjore) kanë pavarësi në vendimarrje. Siç jeni në dijeni, në rastin e zhdukjes së mostrave në laboratorin e toksikologjisë, Ministrja Haxhiu, e ka njoftuar prokurorin dhe ka kërkuar nga drejtori i IML që konform ligjit dhe përgjegjësisë të ndërmarrë veprime në lidhje me rastin”, ka thënë shefi i kabinetit të ministres së Drejtësisë.

(r.m.)