Tiranë, 17 tetor 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në një konferencë për mediet, të shtunën pasdite, tha se pjesëtarët e policisë kanë përdorur vetëm mjetet e lejuara kundër protestuesve antiqeveritarë në Tiranë.
“Gjatë tubimeve të dhunshme policia përdor mjetet sipas legjislacionit për garantimin e rendit dhe për mbrojtjen e punonjës të policisë, në përputhje me kuadrin ligjor”, tha Hita, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari për mjetet e dhunës që po përdor policia kundër protestuesve.
Hita e justifikoi përdorimin e mjeteve të dhunshme kundër protestuesve, përfshirë plumbat e gomës. Sipas tij, është dhuna e protestuesve ndaj policisë ajo që e justifikon përdorimin e mjeteve të dhunës nga policia.
“Gjatë këtyre ditëve policët janë sulmuar me gurë e pllaka, me zara dhe vida, me lëndë pirotekinike, me molotovë. Si pasojë e dhunës në Tiranë, në Shkodër dhe në Lezhë janë dëmtuar 132 policë ku disa marrin ndihmë edhe sot në spital. Në rrjetet sociale po bëhen thirrje për ushtrimin e dhunës ndaj policisë. Këto thirrje synojnë nxitjen e dhunës me lëndë djegëse. Edhe gjatë ditës janë publikuar që protestuesit e maskuar të sigurojë mjetet për të sulmuar policinë dhe institucionet”, tha ai.
Hita tha se gjatë këtyre ditëve janë arerstuar 167 protestues dhe janë proceduar penalisht 388 të tjerë.
Hita u bëri thirrje qytetarëve që të distancohen nga protestuesit që, sipas tij, nuk I përfaqësojnë studentët, ndërsa prindërve u ka bërë thirrje të mos I lejojnë fëmijët e tyre të mitur që të marrin pjesë në protest.
“Qytetarët të largohen nga personat e dhunshëm që nuk i përfaqësojnë student, Policia nuk është kundër qytetarit, studentit. U bëj thirrje prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të marrin pjesë ne protesta të dhunshme dhe që të përdoren si mburojë nga persona të dhunshëm. Policia do vijojë të garantojë ligjin dhe të drejtën kushtetutën për protestë paqësore”, tha ai.
Hita u pyet nga gazetarët nëse ndjen përgjegjësi që në disa raste policët përdorën dhunë të egër edhe ndaj protestuesve paqësorë. Ai e shmangu përgjigjen direkte, duke thënë se policia ka detyrë ruajtjen e rendit e qetësisë, jetën e qytetarëve dhe pronën publike e private. Megjithatë, ai tha se “çdo rast i tejkalimit të kompetencave do të hetohet nga strukturat përkatëse dhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore”.
(r.m.)