Drejtori i Policisë së Kosovës: Sulmet në veri janë orkestruar nga Beogradi

Prishtinë, 28 dhjetor 2023 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media, të enjten, ka paraqitur të arriturat e këtij institucioni gjatë vitit 2023.

Hoxha ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë gjatë këtij në përgjegjësi ka qenë e qetë, përveç në pjesën veriore, ku siguria ka qenë e brishtë.

Ai i ka veçuar protestat e dhunshme në katër komunat veriore, pas hyrjes së kuyetarëve të zgjedhur në zyrat e tyre në ndërtesat kominale.

“Duke u ndalur në këtë konstatim, po nxjerrim disa prej sulmeve dhe rasteve konkrete. Janë protestat dhe sulmet e dhunshme të grupeve kriminale që kanë ndodhur në katër komunat veriore me rastin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, ku janë sulmuar policia, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët e qytetarët”, ka thënë ai.

Hoxha ka thënë se sulmet e grupeve kriminale kanë qenë të motivuara politikisht dhe janë orkestruar nga Beogradi dhe ka theksuar se policia e Kosovës e ka përballuar me sukses të gjitha sfidat, më e rënda nga të cilat ka qenë sulmi terrorist në Banjskë, më 24 shtator.

“Ka disa sulme të kryera gjatë këtij viti nga shteti serb, që na kanë çuar deri në këtë konkludim. Protestat, sulmi ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës, gazetarëve, qytetarëve, kidnapimi i policëve nga strukturat e policisë serbe me 29 maj, pastaj sulmi terrorist në fshatin Banjskë. Të gjithë e dimë betejën e Banjskës dhe suksesin e Policisë së Kosovës në ketë sulm”, ka thënë ai.

Hoxha i ka cilësuar të sukseshme edhe operacionet policore për hetimin dhe zbulimin e parave të falsifikuara, shpëlarjes së parave dhe falsifikimin e dokumenteve.

(r.m.)