Nga Ruben Avxhiu

Qemal Zylo prej shumë vitesh ka themeluar dhe drejton, bashkë me të shoqen Kozeta Zylo, Shkollën Shqipe “Alba Life”, në New York, ku fëmijët mësojnë gjuhën shqipe dhe traditat e atdheut të prindërve të tyre.
Mirëpo, mësimin më të rëndësishëm Qemali e ka dhënë me një shembull personal. Vetëm pak ditë më parë, ai u kthye në një hero kur vuri veten në rrezik për të shpëtuar një njeri të mbetur në mënyrë gati fatale në një moçalishte.
Si tregon bashkëshortja e tij, e cila e ka bërë të ditur ngjarjen me një postim në Facebook: “Qemali ishte duke bërë ecje sportive, pjesë e rutinës së tij të mëngjesit përgjatë Richmond Avenue, në Staten Island kur anash trotuarit dëgjon zërin e mekur, të mbytur të një gruaje: ‘Ndihmë, ndihmë… ‘”
Ai ka ndaluar duke mos u besuar veshëve dhe ka pritur derisa ka dëgjuar përsëri zërin e saj. Aty ka provuar të komunikojë me të dhe i ka thënë të mos shqetësohet se do ta shpëtojë. Ka telefonuar numrin urgjent që në SHBA është “911” si për policinë ashtu edhe për urgjencat mjekësore e situatat e rrezikshme.
Sot në kohën e celularëve, nuk ka nevojë të vraposh për në pikën më të afërt për të kërkuar ndihmë. Por edhe urgjenca kërkon kohë që të vijë. Qemali nuk mund ta dinte se edhe sa kohë i kishte mbetur asaj gruaje që të mos zhytej në mënyrë fatale.
Bëri disa përpjekje për të ndaluar me dorë ndonjë nga makinat që kalonin me shpejtësi por në autostradë pakkush e merr atë vendim.
Kështu si tregon Kozeta, ai vendosi të hyjë vetë mes shkurreve dhe ferrave e drujve kaotikë për t’iu afruar gruas në rrezik. Nuk ishte e lehtë të çaje mes dendësisë, kur i vetmi mjet për të hapur shtegun ishin duart e tij. E dalloi se ku ishte por vështirë se do të arrinte ta zvarriste vetë drejt rrugës. U kthye edhe njëherë për të parë për ndihmë, por ndërkohë gruaja kishte nisur të bërtiste në mënyrë të lebetitur. “Duro të lutem, i thoshte Qemali, se do të shpetoj, nuk do te iki pa të nxjerrë këndej”, tregon Kozeta. “Zoti e solli që kaloi një djalë me motorr dhe ndaloi menjëherë. Joshua e quanin atë deli djalë amerikan tregonte Qemali”.
Të dy bashkë u futën përsëri drejt shkurreve pyjore, arritën te gruaja, e kapën dhe tërhoqën ashtu “të gjakosur dhe të çejrrë në gjithë trupin, të dërrmuar, [ndërsa] dridhej, dridhej… Një grua tjetër ndaloi [dhe] dha ndihmën e saj, i hodhi xhaketën mbi trup. Motoçiklisti shkoi me vrap bleu ujë dhe… ajo nuk pushonte se piri…”
Kishte dy–tri ditë në pyll… e tharë nga etja e në fund të energjive. Ndërkohë mbërritën policia dhe ambulanca që e morën për t’i dëhën ndihmë profesionale.
Hollësirat e tjera se pse e si kjo grua u gjend aty janë pjesë e hetimit nga autoritetet dhe më pak të rëndësishme.
Heroi nuk është vetëm ai që lexojmë në libra e shohim në filma. Ai është brenda secilit prej nesh, nëse kemi guximin dhe bujarinë e paksa çmendurinë që ta lëmë të dali në momentin dhe vendin e duhur. Në jetën e kësaj gruaja, heroi u shfaq si Qemal Zylo, të cilin shumë miq e e të njohur e respektojnë dhe çmojnë shumë edhe pa këtë ngjarje domethënëse. Por që nga sot, kanë një arsye më shumë për ta vlerësuar.
Përtej krenarisë, familja pa dyshim ndjen edhe merakun se situata të tilla vijnë me rreziqe. Për fat të mirë gjithshka ky episod pati një fund të lumtur e do të mbetet nga ato historitë kurioze që tregohen shpesh në familje e shoqëri. Tani shëndet e jetë të gjatë të gjithëve.
Të nesërmen, Qemali iu rikthye të përditshmes normale, përfshi edhe ecjes sportive. Bëri një fotografi dhe ua nisi familjes. Një vajzat, Valbona, i shkroi mbrapsh: “Kalofsh bukur babi dhe pa heroizma”


