Drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i caktohet një muaj paraburgim

Prishtinë, 20 prill 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë e miratoi kërkesën e prokurorisë që Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.

Krasniqi, i cili u arrestua të mërkuren, dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në njoftim thuhet se palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Krasniqi u arrestua pas bastisjeve të kryer nga njësia e Veçantë e Hetimeve e Policisë së Kosovës në zyrën e tij në KEK dhe në dy banesat e tij.

Mediet në Kosovë raportuan se z. Krasniqi dyshohet për nënshkrimin e kontratave milionëshe me të ckilar është dëmtuar KEK-u ose në kundërshtim me ligjet në fuqi.

(r.m.)