
Dy përfaqësues të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane (AARC), Martin Vulaj, President dhe Vehbi Bajrami, botues I gazetës “Illyria” dhe anëtar i Bordit, patën një drekën pune me Kryetarin e Partisë Republikane të Shtetit New York, Edward Cox.
Si mund të ketë mësuar lexuesi i kujdesshëm i gazetës “Illyria”, nga raportimet tona të mëparshme, zoti Cox është edhe dhëndrri i Presidentit të ndjerë të Shteteve të Bashkuara, Richard Nixon, si dhe një mik i besuar i Presidentit Donald Trump.
Në Darkën Vjetore Gala, të AARC, të mbajtur vjet në shtator, në Manhattan, zoti Cox ishte një nga folësit e nderit.
Darka, e ideuar dhe drejtuar nga Presidenti Martin Vulaj mobilizoi komunitetin shqiptar në mbështetje të AARC-së dhe nismave të reja lobuese të kohës sonë në Washington DC.
Në njoftimin e tij në Facebook, për drekën me zotin Cox, Presidenti Vulaj e përshkroi si “një mik dhe mbështetës të AARC-së” dhe tregoi se ai kishte ofruar ndihmën e tij për të sjellë në vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë një numër çështjesh me rëndësi si për popullin shqiptar ashtu edhe për atë amerikan.
“Ne diskutuam gjithashtu edhe rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të fuqishme me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, për të siguruar që këto prioritete të dëgjohen në nivelet më të larta”, ka shkruar Presidenti i AARC-së, Martin Vulaj, që e mbyll duke i shpreur zotit Edward Cox, mirënjohjen për bisedën dhe mbështetjen e vazhdueshme. (Illyria)
