DREKË PËR PËR PENSIONISTË MBI 70 VJET E QË JETOJNË TË VETMUAR

Me rastin e Krishtlindjeve

-Mbresa dhe një vështrim për pensionistët shqiptarë-

Fuat Memelli

Nga Fuat Memelli

Festa e Krishtlindjeve ka kohë që ka filluar të ndihet kudo në Botë, megjithëse do edhe 20 e ca ditë që të vijë. Ajo është ndjerë edhe në Qendrën e Pensionistëve në qytetin Medford afër Bostonit.

Prologu i kësaj feste ishte dreka e shtruar falas, ditën e parë të muajit dhjetor të këtij viti, e cila u kushtohej pensionistëve mbi 70 vjet e që jetojnë të vetmuar. U ftova si gazetar nga kordinatorja për komunitetin e kësaj qendre, Grace Albert, megjithëse nuk plotësoja një nga kushtet, nuk jetoj i vetmuar. Më ngacmoi tematika e kësaj dreke, ndaj u ula të shkruaj disa rradhë, pasi ky është një gjest  njerëzor shumë i bukur.

Nga drejtoresha e kësaj qendre, Pamela Kelly, mësova se kjo traditë ka filluar vite më parë. Nismëtare e saj ka ishte gruaja Letty Patrierno, e cila ka qënë themeluese dhe ka punuar vullnetarisht drejtore e kësaj qendre. Të parët e saj kanë qënë me origjinë nga Italia. Ajo kishte lekë dhe para se të vdiste, në testamentin e saj ndër të tjera kishte shkruar që një herë në vit me rastin e  Krishtlindjeve, të jepet drekë falas për pensionistë të këtij qyteti që janë mbi 70 vjet e që jetojnë të vetmuar. Dhe kjo traditë vazhdon. Fotografia e të ndjerës Letti Patrierno është vendosur në hyrje të qendrës dhe duket sikur ajo u thotë pensionistëve “Mirëseardhët !”

Letti Patrierno

Veç ushqimit të pasur e të larmishëm, ishte ftuar një grup muzikor, pati llotari, u bënë fotografi për pensionistët, e tj. E rëndësishme nuk është thjesht dreka që hanë ata, pasi pensionet i kanë të mira, por është kënaqësia që  ndjejnë duke takuar njëri -tjetrin, duke u larguar për një ditë nga vetmia e cila të gërryen shpirtin ditë e natë e, nëse bie, nuk ke afër një dorë që të ndihmojë të ngrihesh.

Duke përjetuar këtë ngjarje, më shkoi mëndja te pensionistët në Shqipëri , ku jo pak prej prej tyre edhe atje jetojnë të vetmuar.  Shumica e pensionistëve marrin pension minimal, pasi kaq e kanë caktuar ata që bëjnë ligjet “atje lart”, ndërsa rogën e tyre e kanë rreth 20  herë më të madhe. (Nuk thotë kot populli:” I ngopuri, nuk e kujton të uriturin.”) I ritën rrogat e veta dy javë pas zgjedhjeve të qershorit me vota të dy krahëve. Çudi! Për xhepin e tyre bashkojnë votat, ndërsa për probleme shumë më të mëdha, nuk “përputhen”, siç ndodh te emisioni me të njëjtin emër, që vetëm nuk edukon brezin e ri. Ndonjë drekë shtrohet nga kryetari i bashkisë së Tiranës e ndonjë kryetar tjetër, kryesisht nw azilet e pleqve. Për Vitin e Ri japin pesë mijë lekë (të reja), me të cilat nuk blenë dot as gjelin e Vitit të Ri. Edhe biznesmenët mund të hapin më shumë “qesen” për njerëz të varfër që mezi shtyjnë muajin, apo për familje që jetojnë në shtëpi të shkatërruara, që i shohim shpesh në TV. Zgjidhja është ritja e pensioneve , jo dhënia e ndonjë “kafshate”  sa për të thënë “mendojmë edhe per ju.”