Dritë mbi figurën dhe veprën e Ibrahim Rugovës

Prishtinë, 14 maj 2026 – Të enjten në Prishtinë u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “Ibrahim Rugova – shkrimtari, intelektuali, presidenti”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me rastin 20 vjetorit të kalimit të Rugovës në amshim.

Akademik Sabri Hamiti, kryetar i këshillit organizues të konferencës, në fjalën e hyrjes, tha se kjo kohë “është e mjaftueshme për të vlerësuar shumanshëm krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij 40 vjeçare si dhe trashëgiminë e tij kulturore dhe politike në botën shqiptare”.

“Prania e dijetarëve albanologë të shquar nga votra dhe nga bota sot e këtu e forcon besimin se do të kemi një kuvendim ditunor që shënon një datë në mbamendje për kulturën dhe historinë e re shqiptare të Kosovës dhe të popullit të saj. Oratorët e sotë të brezave të ndryshëm, dijetarë e dinjitarë që vijnë nga Kosova, Shqipëria, Italia, Franca dhe Britania e Madhe dëshmojnë vlerësimin për Ibrahim Rugovën – akademik, studiues e filozof i letërsisë, prijës i popullit të Kosovës për liri, Atin Themeltar të pavarësisë së Kosovës – personalitet me përmasa ndërkombëtare”, tha Hamiti.

Akademik Sabri Hamiti

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka – Pula, në fjalën e hapjes, e cilësoi Rugovën si “personalitetin më të rëndësishëm të historisë sonë moderne”.

“Në 20 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ne nuk e kujtojmë një njëri, por një epokë dhe një vizion”, tha ajo në fillim të fjalës së saj.

“Në periudhën më të rëndë dhe më të ndërlikuar për Kosovën ai u shndërrua në zërin e popullit tonë dhe në simbol të rezistencës paqesore. Me urtësi, më vendosmëri dhe me besim në kauzën e drejtë, ai arriti ta bëjë çështjen e Kosovës pjesë të ndërgjegjes ndërkombëtare”, theksoi ajo.

Shiroka – Pula theksoi gjithashtu se trashëgimia e Rugovës do të jetë pikë reference për shoqërinë shqiptare.

“Si president i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova mbetet ndër figurat kyçe të shtetndërtimit tonë modern. Ai la pas një trashëgimi politike që vazhdon të jetë pikë reference për institucionet tona dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës tha se kjo konferencë është edhe një mundësi për studime të thelluara për veprën dhe trashëgiminë e Rugovës.

“Kjo konferencë nuk është vetëm akt përkujtimor. Është ftesë për studime të thelluara, për debat shkencor dhe për rivlerësim të një tragjëgimie që vazhdon të flasë edhe sot”, theksoi ajo.

 

Akademike Justina Shiroka – Pula

Akademik Marenglen Verli, e përshëndeti organizimin e kësaj konference në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai e vlerësoi figurën e Rugovës si studiues, kritik e udhëheqës politik.

“Si studies dhe kritik letrar, Rugova ndërtoi një profil të veçantë në kulturën shqiptare. Vepra e tij mbi kritikën letrare dhe teorinë e letërsisë, nga studimi për Pjetër Bogdanin deri te refleksionet mbi traditën dhe modernitetin, dëshmojnë për një mendje analitike dhe një përpjekje të vazhdueshme për ta vendosur kulturën shqiptare në dialog me zhvillimet europiane. Në këtë kuptim, ai ishte jo vetëm interpretues i trashëgimisë, por edhe ndërtues i një paradigme të re të mendimit kritik. Ky dimension intelektual nuk mbeti i izoluar në botën akademike. Përkundrazi. Ai u shndërrua në themelin e angazhimit të tij politike”, tha ai.

“Në jetën publike ai e mishëroi modelin e intelektualit që merr përgjegjësi në kohë krize. Në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, kjo përvojë intelektuale u kthye në një projekt politik të qartë – ndërtimin e një rezistence paqësore dhe një kulture politike demokratike. Si themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si udhëheqës i një lëvizjeje gjithëpopullore, arriti të ndërtojë një model u nik në Europën e kohës – atë të një shteti paralel të mbështetur mbi arsimin, kulturën dhe organizimin qytetar”, tha më tutje nakademik Verli.

Ai theksoi se Rugova mbetet simbol i rezistencës politike autentike dhe model të liderit politik në kohë jashtëzakonisht të vështira për popullin e tij.

“Mbi të gjitha, Rugova mbeti simbol i një politike të veçantë – rezistencës paqesore dhe shtetndërtimit përmes mjeteve demokratike. Në një periudhë trazirash të mëdha në Ballkan, ai e udhëhoqi një lëvizje që jo vetëm e afirmoi identitetin dhe të drejtat e popullit të Kosovës, por edhe e krijoi një model që u njoh dhe u vlerësua gjerësisht në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Akademik Verli tha se trashëgima e Rugovës mbetet lëndë e studimeve në fusha të ndryshme dhe studime interdisiplinare.

“Tragjëgimia e tij nuk është vetëm historike. Ajo mbetet aktuale. Ai fton studiuesit, historianët, albanologët dhe politologët që të rishikojnë dhe të thellojnë kuptimin e proceseve që e kanë formësuar realitetin e sotëm të Kosovës dhe më gjerë, të rajonit tonë. Pikërisht për këtë arsye, kjo konferencë është një platformë e rëndësishme për reflektimin shkencor dhe për dialog ndërdisiplinor. Në këtë mënyrë, figura e Rugovës përfaqëson një sintezë të rrallë të studiuesit që bëhet udhëheqës, të intelektualit që e shndërron kulturën në strategji politike dhe të politikanit që mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të mendimit kritik dhe të dialogut. Trashëgimia e tij, si në planin letrat e kulturor, ashtu edhe në atë politik e shtetformues, mbetet një fushë e hapur e kërkimit për studiuesit e sotëm. Ajo kërkon lexim të ri, analizë të thellë dhe vendosje në kontekste më të gjera europiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh akademik Marenglen Verli.

Akademik Marenglen Verli

Gjatë punimeve të konferencës u paraqitën 35 trajtesa për figurën dhe veprën e Rugovës si shkrimtar e intelektual dhe si udhëheqës politik e shtetëror. Në shumë prej trajtesave u prekën pikat e reja e të veçanta të leximit dhe intepretimit të letërsisë, të trajtimit të trashëgimisë kulturore e historike dhe të filozofisë politike të Rugovës. Në disa sosh u hodh dritë mbi shenja dhe shenjime të urtisë, kurajos e guximit, si edhe të largpamësisë së Rugovës.

 

Trajtesat e kësaj konferencës shkencore ndërkombëtare “Ibrahim Rugova – shkrimtari, intelektuali, presidenti” do të botohen në një vëllim të veçantë në kolanat e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës gjatë këtij viti.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*