DRITË SHPRESE E HUMANIZMI NË DITËT E ERRËTA TË PANDEMISË

Nga Ruben Avxhiu

Një nga fenomenet e ndritura gjatë vitit të zymtë 2020, ishte bujaria e restoranteve shqiptare në Amerikë në ndihmë të mjekëve, infermierëve e punonjësve të shëndetësisë që ishin në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit.

Si sot, pesë vjet më parë, disa televizione amerikane në New York, u ndalën në një prej tyre, në Restorantin “Bella Pizza” në Bronx, që në kulmin e mbylljes së qytetit prej pandemisë i dha jetë komunitetit rreth tij.

Atë ditë, pronari i tij, dr. Hasan Ademaj, një dentist dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptar u nderua me çertifikatën e Mirënjohjes, të Këshillit bashkiak të Qytetit të New York-ut, për shpërndarjen e ushqimit falas banorëve në nevojë, spitalit, si dhe stacioneve të policisë e zjarrrfikësve, pranë restorantit të tij, gjatë muajve të pandemisë së sëmundjes Covid-19.

“Bella Pizza” ndodhet shumë afër rrugës së famshme Arthur Avenue ku ka shumë biznese shqiptare dhe vizitohet masivisht nga turistë çdo ditë. Mirëpo, në muajt e vështirë të mbylljes së qytetit, në 2020, lagjia mbetej e zbrazët, e banuar kryesisht nga një popullsi në nivelin e varfërisë. Të vetmit njerëz në rrugë ishin shpesh ata që ishin në krye të detyrës në shëndetësi dhe rendin dhe sigurinë e njerëzve.

Për të gjithë këta, dera e restorantit mbetej e hapur.

I pyetur nga CBS News, dr. Ademaj shpjegoi se ishte traditë e shqiptarëve që të ndihmonin të tjerët në kohë të vështira.

Ai nuk u tregoi për vëllain dëshmor të UÇK-së, apo për kullën kur është rritur që ia kishin djegur serbët në Kosovë, por u tregoi se kjo gjendje i kishte kujtuar vuajtjet e shqiptarëve në kohën e luftës dhe kishte dashur të bënte diçka pë rata që ishin në ballë të saj.

“Falas për spitalet. Falas për policinë, zjarrfikësit, dhe këdo që ka nevojë për ndihmë”, ishte formula e tij.

Kjo histori nuk është e vetmuar. Ajo u ngjan shumë reportazheve të periudhës së pandemisë që kemi botuar në gazetën “Illyria” me shqiptarë që vunë restorantet e tyre në dispozicion të njerëzve në nevojë dhe heronjve të frontit të shëndetësisë.

Duke i dhënë Çertifikatën e Mirënjohjes, në atë kohë, Anëtari i Këshillit të Bashkisë së New York-ut, Fernando Cabrera tha:  “Jemi të lumtur që ia paraqesim këtë mirënjohje zyrtare të Këshillit bashkiak të Qytetit të New York-ut, dr. Hasan Ademajt, i cili demonstron veprime të përditshme mirësie, dashurie dhe kujdesi për komunitetin, dhe mbarë njerëzimin. Ai jep ushqim falas, duke ndihmuar banorët e këtij qarku, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar atë ushqim. Ai … mishëron idealin e trajtimit të të tjerëve ashtu siç do të dëshironim të trajtoheshim vetë ne dhe të dashurit tanë. Qyteti ynë i madh është krenar që të japë këtë vlerësim për këtë akt shembullor të Hasan Ademajt”.

Ai e quajti doktor Hasanin, “një dritë ndriçuese, një fener shprese dhe dashurie në këto kohë sfiduese”.

Pesë vite më vonë, punonësit e Spitalit “St. Barnabas” nuk e kanë harruar njeriun që iu gjend në ditë të vështirë dhe janë tani klientë të rregullt të restorantit. Disa mjekë ulen e bisedojnë me kolegun e tyre shqiptar, tregues i respektit dhe miqësisë të krijuar në kohë sfide. Atëhere kur shfaqen e vihen vërtet në provë virtytet e njeriut.