Dua Lipa e pranoi dekretin presidencial të shtetësisë së Kosovës

Prishtinë, 31 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia dorëzoi të enjten këngetares me famë botërore, Dua Lipa, dekretin presidencial për dhënien e shtetësisë së Kosovës.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, e cilëson si nder të veçantë dorëzimin e dekretit të shtetësisë së Kosovës artistes me origjinë nga Kosova, e cila, siç është shprehur Osmani, “është shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit”.

Osmani shprehu mirënjohjet më të thella për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për artin në Kosovë dhe për imazhin e Kosovës në botë.

Dua Lipa e pranoi dekretin e shtetësisë një ditë para hapjes së festivalit muzikor ndërkombëtar “Sunny Hill” në Prishtinë. Ky festival, i cili është themeluar nga Dua Lipa, pa dyshim, është një ndër 10 ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Europë dhe një ndër 15 ngjarjet muzikore në botë. Në të marrin pjesë këngëtarë dhe grupe muzikore të njohura në mbarë botën, por edhe promovohen këngëtarë e grupe muzikore nga Kosova dhe rajoni.

Mijëra turistë nga mbarë bota kanë ardhur tashmë në Prishtinë për ta ndjekur festivalin “Sunny Hill”, i cili mbahet më 1, 2 dhe 3 gusht. Mediet lokale raportojnë se kapacitetet e hoteleve në Prishtinë janë të stërngarkuara.

Përveç Dua Lipës, në programin e sivjetmë të festivalit janë: Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin, Ledri, Yanina, Pint, Tayna e të tjerë.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Mirë se erdhe në shtëpi, Dua! 

Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.

Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë.

Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!

(r.m.)