Londër, 28 tetor 2025 – Superylli i muzikës pop, Dua Lipa, është renditur në krye të “Listës së të Pasurve” nën 30 vjeç për vitin 2025, hartuar nga revista “Heat”, bazuar në përfitimet e tyre gjatë këtij viti.
Portali bauermedia.co.uk, shkruan se këngëtarja shqiptare e kryeson listën e 30 personazheve më të pasur nën moshën 30-vjeçare nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda. Pasuria e saj që vlerësohet rreth 151 milionë euro,
Viti i fundit ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën e Duas. Ajo ka arritur fitime rekord nga turneu botëror “Radical Optimism”, i cili ia solli rreth 97 milionë euro.
Përveç muzikës, Dua Lipa e ka ndërtuar një perandori të vërtetë, përmes projekteve të tjera, siç janë podcasti dhe klubi i saj i librave, si edhe bashkëpunimeve shumë profitabile me markat Porsche dhe Versace.
Pas Dua Lipës renditet aktori Tom Holland me 43 milionë euro, i cili vazhdon të përfitojë nga suksesi i filmave “Spider-Man” dhe nga bizneset e tij të reja, përfshirë një birrë pa alkool.
Në vendin e tretë gjendet këngëtari Lewis Capaldi me 41 milionë euro, ndërsa në pesëshen e parë hyjnë edhe Millie Bobby Brown, me 28 milionë euro, dhe çifti Molly-Mae Hague dhe Tommy Fury, me 26 milionë euro.
Në listë janë përfshirë për herë të parë disa emra të rinj si: aktorja Anya Taylor-Joy, ylli i “The White Lotus” Leo Woodall, dhe këngëtarja Holly Humberstone, e cila ka ndërtuar një pasuri prej rreth 4.8 milionë eurosh nga koncertet e saj me Olivia Rodrigo dhe Taylor Swift.
Podkasteri Steven Bartlett është shpallur si zëri më i paguar në këtë fushë në Mbretërinë e Bashkuar, me një pasuri prej rreth 42 milionë eurosh, falë suksesit të “Diary of a CEO”, i cili gjeneron rreth 17.4 milionë euro në vit nga reklamat.
Në fund të listës së 30 më të pasurve hyn Amber Davies, ish-ylli i “Love Island” dhe konkurrente aktuale në “Strictly Come Dancing”, me një pasuri prej rreth 2 milionë eurosh, duke dëshmuar se popullariteti televiziv mund të shndërrohet në fitim të vërtetë.
Renditja e revistës “Heat” dhe fitimet në paund:
- Dua Lipa, 30 (£129m)
- Tom Holland, 29 (£35.7m)
- Lewis Capaldi, 29 (£35m)
- Millie Bobby Brown Bongiovi, 21 (£24m)
- Molly-Mae Hague, 26 and Tommy Fury, 26 (£22.1m)
- Sophie Turner, 29 (£21.9m)
- Jorja Smith, 28 (£17m)
- Dave, 27 (£16.8m)
(r.m.)