Duka: Shqipëria dhe Serbia kanë kandiduar së bashku për organizimin e Euro 2027 për U-21

Tiranë, 9 maj 2024 – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka konfirmuar se Shqipëria dhe Serbia kanë bërë kërkese që bashkërisht të organizojnë Kampionatin Evropian të Futbollit për U-21 të vitit 2027.

Duka, në një intervistë me gazetarin shqiptar, Blendi Fevziu, ka bërë të ditur se kërkesa e përbashkët i është dërguar UEFA-s dhe pritet që së shpejti të marrin përgjigje.

“Në 2027 ne jemi vend kandidat për të organizuar Kampionatin Evropian për U-21. Duke qenë se ne nuk plotësojmë kushtet për të organizuar një kampionat vetëm në Shqipëri, pasi duhen tetë stadiume minimalisht, ne jemi bashkuar me Serbinë në një kandidaturë për të organizuar një kampionat në Shqipëri dhe në Serbi”, ka thënë Duka, në një video të shpërndarë nga Fevziu.

Ai e ka cilësuar këtë si një lajm të mirë për futbollin në të dyja vendet dhe për popuyjt e të dyja vendeve.

“Mendoj se ky është një lajm i mirë për futbollin shqiptar dhe për futbollin serb, për popullin shqiptar dhe për popullin serb. Në fund të fundit ne organizojmë dhe, nëpërmjet sportit pse jo, të kemi një jetë më të mirë”, thotë Duka.

Ai ka thënë se për organizimin e një ngjarjeje kaq të madhe sportive nevojitet edhe mbështetja e qeverive të të dy vendeve.

“Pa dyshim që kjo do një angazhim të madh, jo vetëm të Federatës së Futbollit, por edhe të qeverive respektive. Duhet të krijojmë disa komunikime, duhet të krijojmë disa lehtësira dhe të bëjmë të mundur këtë”, është shprehur Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

(r.m.)

Comment

*