Dumani: 43 procedime për krime zgjedhore janë ende në hetim

Tiranë, 26 qershor 2025 – Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, deklaroi të enjten se hetimi i krimeve zgjedhore ka prevaluar mbi çdo vepër penale në periudhën para dhe gjatë zgjedhjeve.

Nga tryeza “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, Dumani bëri me dije se çdo denoncim që ka shkuar në adresë të SPAK është marrë me seriozitet, ku sipas tij janë kryer të gjitha veprimet hetimore për të verifikuar çdo rast.

“Janë administruar 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore, nga këto 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, pra janë në fazë hetimi,” tha Dumani.

Kreu i SPAK shtoi më tej se për 43 materiale është vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë provash, 22 materiale i janë dërguar Policisë së Shtetit për verifikim dhe 17 janë bashkuar me çështje të tjera.  Teksa lexoi shifrat e çështjeve për krimet zgjedhore, Dumani sqaroi se nëntë procedime janë nisur kryesisht nga organi i akuzës, 22 si pasojë e referimeve nga Policia e Shtetit, 3 referime nga prokuroritë e rretheve dhe vetëm 4 si pasojë e kallëzimeve nga subjektet politike.

Sa i takon veprave penale për të cilat janë regjistruar këto procedime mbizotëron “korrupsioni aktiv në zgjedhje” me 35 raste, 4 çështje po hetohen për “korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje”, 1 vepër penale për përdorimin e funksioneve publike për qëllime politike dhe 1 procedirm për kanosje dhe dhunim të zgjedhësve.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme i adresoi kritika partive politike, për të cilat tha se “kemi vënë re që denoncimet e tyre kanë qenë të paplota”.

Një panoramë të ngjashme pasqyroi edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili teksa lexoi gjetjet paraprake të misioneve vëzhguese ndërkombëtare, pohoi se “asetet shtetërore u përdorën duke i dhënë partisë në pushtet një avantazh politik”.

Po ashtu, Celibashi theksin e vendosi edhe te transparenca e financimit të partive politike, ku pohoi se “asnjë kandidat nuk ka bërë publike kuotat e financimit gjatë fushatës”.

“Qartazi ne duhet të presim raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, por me këto që gjetje që kemi, lipset nevoja për një ndryshim në kuadrin ligjor të zgjdhjeve për të adresuar çdo lloj problematike që është hasur gjatë procesit të 11 majit”, rekomandoi Celibashi.

Ai shtoi se “reforma që të jetë e efektshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Maxhoranca e PS me gati shumicë cilësuese në Parlamentin e ri, shpresoj që mos të jetë pengesë për gjithëpërfshirjen në procesin e përgatitjes së reformës së re zgjedhore”.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nick Abbott, ishte i mendimit se “nevojiten ndryshime në ligjin për financimin e partive, që qytetarët të mësojnë se si financohen partitë dhe fushatat e tyre”.

Ndërsa pritet konstituimi i Parlamentit të ri, Abbott theksoi se “në 4 vitet e ardhshme Parlamenti do ketë disa sfida të rëndësishme”, ku theksin e vendosi te një reformë e efektshme zgjedhore.

(Reporter.al)

Comment

*