Dumani: Deklaratat politike e cenojnë sigurinë e prokurorëve të SPAK-ut

Tiranë, 14 tetor 2025 – Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, gjatë raportimit në komisionet parlamentare, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që kanë deklaratat politike ndaj sigurisë së prokurorëve të posaçëm.

Ai tha se sulmet që vijnë nga aktorë politikë krijojnë shqetësime serioze, pasi frymëzojnë edhe elementë të krimit të organizuar.

“Janë shqetësim, sidomos kur gjuha e përdorur tejkalon cakun dhe këto deklarata politike frymëzojnë dhe elementë të krimit të organizuar dhe bëjnë edhe më vurnerabël prokurorët e posaçëm dhe familjarët e tyre”, tha ai, citon Panorama.

Dumani theksoi se prokurorët në punën e tyre të përditshme, kanë vënë re se sa herë shtohen sulmet politike ndaj SPAK-ut shtohen edhe rastet e kërcënimeve ndaj prokurorëve.

“Ne këtë e kemi vënë re edhe në punë tonë të përditshme, sepse sa herë që sulmet politike shtohem vihen re edhe shtime të rasteve të kërcënimeve të prokurorëve të posaçëm”, tha ai.

Ai tha se SPAK-u nuk ka reaguar ndaj deklaratave politike, përkundër sulmeve ndaj këtij institucioni.

 “Sa u takon deklaratave politike, siç edhe e keni vënë re, SPAK përpiqet të rrijë larg këtyre deklaratave duke mos u përfshirë ne debate apo në replica”, tha Dumani.

(r.m.)