Dumani në SHBA për trafikun e narkotikëve dhe pastrimin e parave

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, qëndroi disa ditë në SHBA në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, ku zhvilloi takime dhe mori pjesë në konferenca me fokus bashkëpunimin kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të hënën, më 8 shtator, se drejtuesi i saj, prokurori Altin Dumani, zhvilloi disa takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të gushtit dhe në fillim të këtij muaji, në kuadër të bashkëpunimit kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Në njoftim thuhet se Dumani, gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C., më 2 dhe 3 shtator, zhvilloi takime të nivelit të lartë.

“Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI), u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të narkotikëve dhe pastrimin e parave”, thuhet në njoftim.

SPAK njoftoi gjithashtu se Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e zhvilluar në Nashville, Tennessee, në datat 26-28 gusht, me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA),

Gjatë konferencës së titulluar “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional”, Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z. Terrance Cole, ku u diskutua mbi bashkëpunimin ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, si dhe mbi rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.

Gjithashtu, drejtuesi i SPAK zhvilloi takime edhe me përfaqësues të agjencive të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konferencë, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit dhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, me qëllim luftimin e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

(Reporter)