Dushko Arsiq shpallet fajtor për krime lufte, dënohet me 13 vjet burgim

Prishtinë, 2 shkurt 2024 –  I akuzuari për krime lufte në Kosovë, Dushko Arsiq, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 13 vjet burgim.

Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor është konstatuar se Dushko Arsiq kishte marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, dhe se e kishte keqtrajtuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K.

Arsiq është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës se, më 20 prill 1999, ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve” në fshatin Butovc të komunës së Prishtinës. Viktima kishte qenë duke ecur, kur Arsiq e bashkëkryesit e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe e kanë qëlluar për vdekje. Ata e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atëherë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta bartte në shpinë, ndonëse ai kishte pësuar lëndime të konsiderueshme fizike sepse paraprakisht ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga Arsiqi.

Arsiq është akuzuar gjithashtu se në periudhën janar-qershor 1999, bashkë me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe të grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga Prishtina dhe rrethina, ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive e pronave të shqiptarëve e pastaj ua kanë vënë zjarrin.

Avokati i tij, Nebojsha Vllaiq, pas shqiptimit të dënimit nga gjykata e shkallës së parë, tha se do ta apelojë këtë vendim. Ai tha se Arsiq është akuzuar dhe dënuar, siç u shpreh, “vetëm sepse u përpoq ta rimarrë pasurinë që i ishte uzurpuar” dhe të kthehej në Prishtinë.

Arsiq është me origjinë nga Matiqani, në periferi të Prishtinës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë ka jetuar në Kralevë të Serbisë. Ai ishte arrestuar në pjesën veriore të Kosovës, në dhjetor të vitit 2022.

(r.m.)