Dy aktiviste shqiptare kërkojnë që BE të reagojë ndaj “regjimit anti-demokratik” në Shqipëri

Tiranë, 1 dhjetor 2022 – Dy aktiviste shqiptare që jetojnë në BE i kanë dërguar letër Presidentes e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, duke i kërkuar që Bashkimi Europian të mos bëjë sehir për të reagojë, siç thuhet, “përballë një regjimi anti-demokratik dhe një qeverie të korruptuar që shtyp qytetarët e vet”.

Ato rendisin disa argumente që e personifikojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si autokrat dhe shkelës të të drejtave themelore të njeriut dhe të lirive qytetare në Shqipëri.

“’Edi juaj i dashur’ jua ka vizatuar një Shqipëri që nuk ekziston. Në Shqipërinë e vërtetë, qytetarët jetojnë përditë dramën e një shpopullimi biblik, të drejtësisë së munguar dhe korrupsionit të pashembullt qeveritar”, shkruajnë dy qytetaret shqiptare.

Ati kërkojnë që Bashkimi Evropian të reagojë ndaj kryeministrit Rama dhe Qeverisë së tij.

“E dashur Ursula, shqiptarët e thjeshtë po ju kërkojnë publikisht që Europa të mos sillet si një ‘bukuroshe e fjetur’ përballë një regjimi anti-demokratik dhe një qeverie të korruptuar që shtyp qytetarët e vet”, thuhet në letrën e dy aktivisteve shqiptare.

“Përndryshe, zgjimi do të jetë i dhimbshëm…për të gjithë!”, paralajmërojnë ato,

Letra e plotë:

E dashur Ursula,

Qytetarët shqiptarë ju dërgojnë këtë letër…

Shkurt, duan t’ju thonë që “Edi juaj i dashur” jua ka vizatuar një Shqipëri që nuk ekziston.

Në Shqipërinë e vërtetë, qytetarët jetojnë përditë dramën e një shpopullimi biblik, të drejtësisë së munguar dhe korrupsionit të pashembullt qeveritar.

Në Shqipërinë e vërtetë, qytetarët nuk mund të quajnë sukses inceneratorët imagjinarë, parcelat e drogës, aferën korruptive të portit të Durrësit apo frikësimin e medias.

Ata nuk mund të quajnë sukses as shkatërrimin e opozitës, ekzistencën e investitorëve strategjikë fantazma, kompanive off shore apo mafies së betonit.

E dashur Ursula, ndoshta ju nuk e dini, por në 2022, falë «Edit tuaj të dashur» çdo shqiptar i thjeshtë ka mbi kokë një spiun (të ashtuquajturit patronazhistë) që e survejon dhe kërcënon… sa herë të jetë e nevojshme.

Dhe si çdo qenie njerëzore që meriton të trajtohet me dinjitet, qytetarët shqiptarë nuk mund t’i gëzohen arrogancës dhe bullizmit me të cilën «Edi juaj i dashur» trajton popullin e vet, ndonjëherë duke ju përdorur dhe ju si mburojë.

E dashur Ursula, shqiptarët e thjeshtë po ju kërkojnë publikisht që Europa të mos sillet si një “bukuroshe e fjetur” përballë një regjimi anti-demokratik dhe një qeverie të korruptuar që shtyp qytetarët e vet.

Përndryshe, zgjimi do të jetë i dhimbshëm…për të gjithë!

(r.m.)