Tiranë, 9 maj 2025 – Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, qeveria vendosi në një mbledhje të palajmëruar që të përcaktojë procedurat për shfuqizimin e masave administrative të paekzekutuara, bazuar në një ligj të kontestuar që u miratua në dhjetor 2024, që parashikon shfuqizim të këtyre masave nga viti 2015 deri më 30 nëntor 2024.
Kryemintri Edi Rama priti ditën e fundit të fushatës zgjedhore për të nxjerrë vendimin, edhe pse ligji në fjalë i botuar në Fletore Zyrtare në datën 31 dhjetor 2024, e detyron Këshillin e Ministrave që ta nxirrte këtë akt brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Vendimi i miratuar të premten përcakton procedurat që ndiqen për realizimin e procesit të shfuqizimit të gjobave nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.
Falja e gjobave pritet të prekë mijëra familje, pasi sipas relacionit që shoqëroi nismën në Kuvend, vetëm në një vit janë vendosur 1,492 masa për tipologji ndërtimesh pa leje si shtëpi, mure rrethues, çati apo magazina.
Vendimi i së premtes është cilësuar një shkelje e pastër e Kodit Zgjedhor dhe organizata “Qëndresa Qytetare”, e cila e denoncoi kryeministrin Edi Rama në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Ky është një akt i ndërmarrë në shkelje të pikës 4 të nenit 91 të Kodit Zgjedhor, në shkelje të garës së barabartë në zgjedhje, një akt që godet në themel zgjedhjet e lira dhe të ndershme”- thuhet në njoftimin e organizatës që monitoron zgjedhjet.
Sipas “Qëndresa Qytetare”, “ky akt, dekurajon qytetarët për të paguar sanksionet administrative, duke i inkurajuar që për shkeljet e tyre të presin zgjedhjet e ardhshme për t’i falur partia në pushtet. Kjo i shkakton dëm financave shtetërore, kulturës së pagesave të kudnravajtjeve por mbi të gjitha sjelljes qytetare në të ardhmen”.
Qëndresa Qytetare i kërkon KQZ të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar këtë akt të paligjshëm dhe SPAK-ut që të hetojë të gjithë procedurën e miratimit të këtij akti, nga propozuesi e deri tek miratuesi.
Qeveria socialiste miratoi këtë ligj dhe shpërndau bonuse për grupe të ndryshme të shoqërisë në dhjetor 2024 në prag të afatit ligjor të ndalimeve për fushatën elektorale, vendime që sipas opozitës dhe organizatave që monitorjnë standardet e procesit zgjedhor, bëhen për të ndikuar votën e 11 majit.
Nuk është hera e parë që qeveria ndërmerr nisma sociale apo bën rishpërndarje investimesh në prag të proceseve zgjedhore, duke ngjallur kritika për përdorimin e fondeve publike për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Neni 91 i Kodit Zgjedhor, i ndryshuar me marrëveshje politike në vitin 2020, parashikon se “katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive, të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.