Dy festa të bukura shqiptare në Philadelphia

Nga dr. Sadik Elshani

Këto ditë në Philadelphia u organizuan dy festa të bukura që gërshetojnë traditat tona, gatimet, punimet artizanale dhe muzikën tonë. Për të dytën herë u organizua Panairi Tradicional Shqiptar që këtë vit kishte një temë, veprimtari të caktuar: përgatitjen e byrekut dhe çdo gjë që lidhet me këtë gatim të shijshëm, mjaft të pranishëm në kuzhinën tradicionale shqiptare. Prandaj, këtë vit ky manifestim u quajt, Festivali i Byrekut. Por, nuk mungonin as ushqimet tjera të kuzhinës sonë: sarma, speca të mbushur, baklllava, kadaif, etj. Organizime të tilla shërbejnë edhe për të promovuar bizneset shqiptare, ushqimet tona tradicionale, veshjet tona kombëtare e prodhime të tjera artizanale. Wshtë kjo edhe një mundësi për t’i angazhuar amviset shqiptare dhe për t’i shijuar gatimet e tyre të shijshme, gatime që sjellin aromën, shijen dhe mallin e vendlindjes. Ky festival kishte edhe karakter garues, prandaj juria  kishte vënë kritere ppër përgatitjen e byrekut: cilësinë e petëve, shijen, pastërtinë e mënyrën e përgatitjes. Fituese e festivalit u shpall zonja Anxhela Ndreko, një pastiçiere e talentuar, mjeshtre e gatimeve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.

Pak ditë pas kësaj veprimtarie u organizua edhe festa tjetër: Albanian Summer Party 2026, një festë që bashkon familjet shqiptare, komunitetin, traditat, kulturën tonë. Solli edhe gëzimin e fëmijve, sepse përkonte me 1 Qershorin, Ditën e Fëmijve..Sigurisht që atmosferën e bënë më të këndshme edhe shijet e mrekullueshme të gatimeve shqiptare të përgatitura nga amviset duararta të komunitetit tonë. Fëmijët morën pjesë në disa veprimtari të organizuara posaçërisht për ta: lojëra të ndryshme, pikturimi i luleve shumëngjyrëshe, etj. Këngëtarët Arjol Shpuza e Elsa Sokoli e ndezën atmosferën duke sjellur këngët e vallet më të bukura shqiptare, të cilat jehuan gjer në orët e vona të mbrëmjes. Ndërsa bashkatdhetarët e lumtur vallëzonin pa u ndalur – vërtet çaste të bukura për këto ditë verore.

 Këto dy festa të bukura u organizuan në mjediset e brendshme dhe të jashtme të “Kafe Dajti”me angazhimin e gazetares dhe veprimtares së komunitetit tonë, zonjës Eva Dori dhe pronarët e këtij lokali, zotërinjtë: Imer Dedja, Gëzim Tafa e Nikolla Tollumbi. Të gjithë kaluan ca çaste shlodhëse e argëtuese – atmosferë shqiptare në Philadelphia.Veprimtari të tilla sjellin energji positive, duke e bërë më të këndshme e më të llojllojshme jetën e komunitetit tonë.

Sezoni veror sapo ka filluar, prandaj organizimi i këtyre festave njëra pas tjetrës është një nismë e mbarë që na bënë të shpresojmë se në ditët dhe javët në vazhdim do të kemi edhe shumë festa të tjera të bukura e argëtuese. Organizime të tilla, përveç karakterit argëtues, shlodhës, ofrojnë edhe një formë të përshtatshme të komunikimit të sipërmarrësve shqiptarë për të bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin, për të ndihmuar njëri-tjetrin, për ta informuar komunitetin për shërbimet, prodhimet që ata ofrojnë. Të shpresojmë se edhe restorantet e lokalet tjera shqiptare do ta ndjekin shembullin e “Kafe Dajtit”.