Dy helikopterë “Black Hawk” do t’i shtohen flotës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Tiranë, 3 janar 2024 – Dy helikopterë amerikanë “Black Hawk” do t’i shtohen flotës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në fund të këtij muaji.

Lajmin e ka publikuar ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke e cilësuar këtë si hap të rëndësishëm për realizimin me efikasitet të operacioneve të emergjecave.

Peleshi ka theksuar se kjo tregon se Shqipëria po investon në forcën dhe në sigurinë e saj.

“Dy helikopterë amerikanë #BlackHawk do të shtohen në arsenalin e Forcave të Armatosura në fund të këtij muaji.

Një investim i madh dhe një hap i rëndësishëm që do të na japë fuqinë dhe përkushtimin e nevojshëm për të përmbushur misionet taktike dhe operacionet e emergjencave me më shumë efikasitet dhe siguri.

Ky lajm i shumëpritur në këtë fillimvit, në bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë strategjik #SHBA është një shenjë e qartë se vendi ynë po investon në forcën dhe sigurinë e tij, duke e bërë Shqipërinë një vend më të sigurt dhe të përgatitur për sfidat e ardhshme”, ka shkruar Peleshi.

(r.m.)