Dy përvjetorë në Haraçinë na bashkuan më 24 Qershor 2026

Shkruan Dr Mehmet Prishtina

Dje  ishte një ditë e veçantë për mua dhe për përfaqësuesit e Shoqates  “Lidhja Është Gjallë”,për familjarët e Hasan Prishtines ,Shaban Polluzhës, Prof. Zahir Kastratin – historian, dhe Mrs.Qamil Sahitin, pasardhësin më të afërt nga vija e gjakut e Azem Bejtë Galicës. Me ftesën e mikut tim, Komandant Musteqja, z. Ragmi Emini, morëm pjesë në dy përvjetorë të lavdishëm të Haraçinës së Malësisë së Shkupit: 30-vjetorin e themelimit të Komunës së Haraçinës dhe 25-vjetorin e Betejës së Lavdishme të Haraçinës.

Me këtë rast u dekorua edhe shtëpia e Komandant Musteqes me një pllakë lavdie nga OVL e UÇK-së, si shtëpi bazë e UÇK-së. Me çradt u nxerova si anëtar i shpalosjes së kesaj pllake të nderit dhe lavdis. 

Kryetari i Haraqines i ri në moshë, por i pjekur në qëndrim  dhe veprim z.Daut Beqiraj,kishte ftuar edhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë,SHTZ Ditjon Mejdani i cili në akademinë solemne të organizuar nga Komuna e Haraçinës mbajti një fjalim mbresëlënës dhe emocionues.Aktiviteti u shoqërua me një program të pasur kulturor, ndërsa kulmoi me performancën muzikote të  mikut tim Ismet Bexhetit, i cili promovoi një këngë unike dhe tejet prekëse me tekst të çlirimtarit Rexhep Selimi, të shkruar nga Haga dhe kushtuar veteranëve të UÇK-së.

Programi vazhdoi me ndarjen e mirënjohjeve për familjarët e dëshmorëve dhe me homazhe pranë varrezave të dëshmorëve të kësaj ane.

Gjeneralët e luftës dhe të paqes, çlirimtarët tanë dhe veteranët e lirisë ishin protagonistët e kësaj dite, ndër ta Gjeneral Xhevahir Geci, Gjeneral Hajrush Kurti, Komandant Hoxha, Komandant Xhavit Hasani, si dhe shumë komandantë e luftëtarë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare si akomandant Lima e Komandant Lika.

Një moment i veçantë ishte fjala e Gjeneral Xhevahir Gecit, i cili vlerësoi lart angazhimin e Mehmet Prishtinës në kuadër të bashkimit shpirtëror të familjeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, nga Lidhja e vitit 1912 e deri në ditët e sotme. Ai theksoi përkushtimin e tij të vazhdueshëm në këtë mision kombëtar, shpeshherë edhe me vetëfinancim, duke pasur mbështetje të rëndësishme nga Fondacioni “Hasan Prishtina”, i themeluar nga vetë Mehmet Prishtina.

Pikërisht për këtë kontribut të çmuar në ruajtjen e kujtesës historike, në afrimin e familjeve të figurave kombëtare dhe në forcimin e unitetit kombëtar, Komuna e Haraçinës ndau një mirënjohje të veçantë për Mehmet Prishtinën.

Në të njëjtën frymë vazhdon edhe misioni i Shoqatës “Lidhja Është Gjallë”, e cila përmes familjarëve të rilindësve dhe figurave të shquara kombëtare po punon pa u ndalur për bashkimin shpirtëror, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve, duke mbajtur gjallë idealet e paraardhësve tanë dhe duke e orientuar veprimtarinë e saj drejt idealit të bashkimit të plotë kombëtar.

Në fund, të pranishmëve ua dhurova librin tim më të fundit “Lëvizja Revolucionaro-Kombëtare Shqiptare dhe Maqedonase në rrjetet e diplomacisë sovjetike 1922–1928”, ndërsa kryetarit të komunës i dhurova librin dhe “Lulëkuqen e Kosovës”, simbol të kujtesës sonë historike dhe të plagës së hapur të gjenocidit në Kosovë.

Në fjalën time theksova se ka ardhur koha që shqiptarët të lënë mënjanë ndasitë dhe përplasjet e panevojshme, të afrohen dhe të bashkohen më shumë me njëri-tjetrin. Vetëm ata që nuk na duan si komb përfitojnë nga përçarja jonë.

Po ashtu, është koha që politika t’u hapë rrugë brezave të rinj, figurave që sjellin energji të re, integritet, dije dhe vizion. Rinia jonë ka dëshmuar potencial të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat, brenda dhe jashtë vendit. Ata janë e ardhmja jonë dhe meritojnë të kenë hapësirën e nevojshme në qeverisje, vendimmarrje dhe në ndërtimin e së ardhmes sonë kombëtare.

Lavdi tri Shkronjave të arta të UÇK së!

Liri për Çlirimtarët!