Prishtinë, 9 qershor 2025 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot (e hënë) është mbajtur seanca e dytë gjyqësore kundër 3 prej 45 të akuzurve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Në këtë seancë kanë dëshmuar Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë qenë në krye të detyrës natën kur grupi i serbëve të armatosur i ka sulmuar me mjete shpërthyese dhe me armë të kalibrave të ndryshëm pjesëtarët e policisë së Kosovës në fshatrin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023.
Rashiti, i cili ka dëshmuar në sesionin e paraditës, ka treguar se si ka ndodhur sulmi.
“Informatën e parë për një veturë të dyshimtë e kemi pranuar në ora 21. Informata nga dhomat komanduese ka qenë se një veturë është e parkuar në një livadh. Ajo informatë është dhënë nga njësia për reagim të shpejtë dhe, sipas saj, ajo veturë ishte e dyshimtë. Nga dhoma komanduese është konfirmuar se për këtë veturë nuk ka të dhëna në sistem”, ka thënë Rashiti.
Ai ka treguar për shkuarjen e njësiteve të tjera të Policisë në vendngjarje, përfshirë tani të ndjerin, rreshterin Afrim Bunjaku.
“Sa kemi arritur në fshatin Banjskë, më saktësisht te ura, i kemi vërejtur dy kamionë të peshës së rëndë që e kishin bllokuar ose barrikaduar urën. Pra, kanë qenë mbi urë të parkuar, paralel. Kemi vëzhguar fillimisht se a ka diçka të dyshimtë. Nuk kemi parë persona që ëvizin. Kolegët kanë tentuar ta lajmërojnë menjëherë dhomën komanduese, mirëpo ka pasur problem me valët e radiolidhjes, kështu që e kemi parë të arsyeshme të shkojmë në një pozicion tjetër që të komunikojmë më lirshëm. Kemi vazhduar rrugës kryesore, ku nuk ka pasur diçka të dyshimtë. Kemi kontaktuar me dhomën komanduese dhe kemi raportuar për dy kamionët e dyshimtë që e kishin barrikaduar urën. Nga dhoma komanduese na është kërkuar të kthehemi në vendngjarje dhe na është kërkuar që mundësisht të dërgojmë foto. Menjëherë jemi kthyer në hyrje të fshatit Banjskë. Veturën e kemi parkuar diku 30 metra larg kamionëve, për shkak se kishte shumë ndriçim. Nga dhoma komanduese na është thënë se janë dërguar dy njësi për asistencë, njësi të Zveçanit. Kemi dalë me kolegët Mirsadin dhe Çlirimin. Unë dhe Mirsadi jemi afruar te kamionët të shikojmë nëse ka diçka të dyshimtë. Nuk ka vonuar më shumë se 20 minuta dhe në vendngjarje kanë arritur dy vetura policore. Aty kanë qenë 6 policë, përfshirë të ndjerin Afrim Bunjaku. Uë kam qenë afër kamionëve, kurse Mirsadi ka komunikuar me kolegët tjerë. Mirsadi me një kolegë kanë vazhduar në drejtim të kamionëve, që të shikojnë për së afërmi. E kujtoj që me rreshterin Afrim jemi konsultuar që t’i zëmë disa pozicione dhe të jemi në gjendje gatishmëria, pasi e dinim që mund të kishte rrezik”, ka shpjeguar ai.
Më tutje, Rashiti ka rrëfyer për momentin e vrasjes së rreshterit Bunjaku dhe për plagosjen e tij.
“Nuk ka pasur diçka tjetër të dyshimtë, përpos kamionëve dhe ndriçimit, pasi në fshat ka pasur ndriçim shumë më shumë se natëve tjera. Në fshat ka mbretëruar qetësi pothuajse absolute, gjë që nuk ka qenë e zakonshme për atë kohë. Kam kërkuar nga kolegu Çlirimi që t’i përdorë dylbitë termike që të shikojë nëse ka diçka të dyshimtë. Kur jam larguar ndoshta 3 apo 4 metra nga Afrim Bunjaku, në anën e majtë ka ndodhur një shpërthim i papritur, ku jam plagosur në anën e majtë. Shpërthimi ishte shumë i madh, eksplodim shumë i madh. Jam munduar të kaloj në pozicion mbrojtës afër një kamionete, kur ka ndodhur një shpërthim tjetër. Pa u vonuar shumë kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm. Kur kanë filluar të shtënat kemi parë që kishte të shtëna nga dhjetra pozicione në gjithë fshatin. Kemi filluar të kthejmë zjarrin, mirëpo në anën time të majtë e kam parë se rreshteri Afrim Bunjaku kishte mbetur i shtrirë, i gjakosur nga qafa dhe i palëvizshëm. Nga Çlirimi kemi kërkuar të afrohet me veturë që ta tërhiqnim rreshterin nga ai vend. Sapo ai është nisur, makinën e kanë goditur me predha të ndryshme dhe e kanë bërë të palëvizshme”, ka vazhduar ai.
Rashiti ka treguar për momentin e tërheqjes së rreshterit Bunjaku.
“Pasi ka ardhur Çlirimi te unë, kolegu tjetër, Mirsadi, më ka kërkuar që të qëlloj dritat te ura, prej nga vitin plumbat. I kemi qëlluar dritat për të krijuar një errësirë, pastaj Mirsadi më ka kërkuar ta mbuloj me zjarr. Ndonëse kam qenë i plagosur, nuk i kam treguar atij, por kam filluar ta mbuloj me zjarr. Ai ka shkuar te vetura tjetër që ta sillte aty pranë që ta tërheqim rreshterin Bunjaku. Ndaj nesh kanë shtënë me armë dhe Mirsadi ka kërkuar që rreshterin ta fusim në veturë”, ka thënë ai.
Rashiti ka theksuar se gjatë kohës që kishte të shtëna nga të dyja anët terroristët po i vëzhgonin përmes dronit. Ai ka thënë se ka shtënë në drejtim të dronit, por nuk është i sigurt nëse e ka goditur apo jo.
“Ato momente ishin të vështira, pasi që ishim më pak zyrtarë policorë. Veturat i kishim të dëmtuara nga predhat, mua më rridhte gjak nga kraho, gjithashtu vërejta që jam i plagosur edhe në këmbë. Kam vërejtur se aty ka qenë një dron duke vëzhguar lëvizjet tona. Kam shtënë në drejtim të dronit, por nuk e di a e kam goditur. Aty kam kaluar në anën e kolegëve që të bashkoheshim në një pikë të vetme, pasi disa prej nesh ishin në një pikë tjetër. Kemi arritur që, me mbulim të zjarrit, të grumbullohemi dhe aty e kemi parë gjendjen. Gjuajtjet pothuajse janë ndalur, por kishte lëvizje të dyshimta. Prandaj menduam që personat që po na sulmonin po na afroheshin. Aty prapa kemi filluar ballafaqimin deri në momentin kur ka ardhur asistenca nga Koshtova”, ka thënë ai.
Rashiti ka thë në se për përdorimin e armëve që janë përdorur nga sulmuesit nevojiten trajnime specifike, gjë që shpie në përfundimin se sulmi ishte organizuar e koordinuar mirë dhe se sulmuesit kanë qenë të përgatitur mirë,
“Kanë qenë të strukturuar shumë mirë. Aty është gjuajtur edhe me raketahedhës, gjë që kërkon kompetencë. As ushtari i thjeshtë nuk di ta përdorë raketahedhësin”, ka thënë ai.
Në sesionin e pasditës ka dëshmuar Çlirim Shaiqiri, zyrtar policor në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë, i cili është dëshmitari i dytë i Prokurorisë në rastin “Banjska”.
“Gjatë ditës së 23 shtatorit kemi pasur detyra të rregullta. Në pjesën e paradites gjendja ka qenë e qetë. Nuk ka pasur diçka të jashtëzakonshme. Pasi e kemi përfunduar ndërrimin kemi vazhduar në bazën e Koshtovës së Vllahisë… Pasi e kemi bërë zëvendësimin e kolegëve, në ora 20, kemi vazhduar me detyra dhe diku pas një ore, përmes dhomës komanduese, e kemi marrë një informatë për një veturë të dyshimtë. Kemi vazhduar me patrullimin, Vetura ka qenë me targat KM, ngjyrë hiri. Gjatë asaj kohe vetura është verifikuar nga dhoma komanduese dhe më pastaj kemi vazhduar me detyrat e rregullta, si zakonisht, deri në orarin e asaj pike, në orën 2 e 10”, ka thënë ai.
Shaqiri tutje ka treguar për shkuarjen në Banjskë.
“Pasi kemi pranuar zëvendësimin, kemi vazhduar në drejtim të bazës së Koshtovës, bashkë me kolegët Mirsad Kryeziu edhe Alban Rashiti. Rrugës për në fshatin Basnjskë kemi vërejtur dy kamionë të cilët e kishin bërë bllokimin e rrugës. Kemi tentuar të kontaktojmë me dhomën komanduese për bllokimin e rrugës, por aty s’ka pas valë dhe nuk ka punuar radiolidhja. Kemi kërkuar një vend me të përshtatshëm për të dhënë informatën, ku ka valë për radiolidhje, dhe e kemi informuar dhomën komanduese për bllokimin e rrugës. Pasi e kemi dhënë informatën nga dhoma komanduese na është thënë që të kthehemi në fshatin Banjskë për të marrë pamje që t’i dërgojmë për çështje operative që të shihej se si ishte gjendja. Kur kemi kontaktuar me dhomën komanduese na është thënë se nga Stacioni i Zveçanit po vinin disa patrulla dhe se do të na kontaktonte nënkolonel Veton Elshani”, ka thënë ai.
Shaqiri ka treguar se rreth orës 3 në vendin e ngjarjes kishte arritur patrulla nga stacioni i Zveçanit në krye me rreshterin e ndjerë Afrim Bunjaku.
“Në ato momente kemi bërë një komunikim mes kolegësh ku i kemi ndarë pozicionet ose detyrat. Gjatë komunikimit me zyrtarin Rashiti më është thënë që të qëndroj te vetura ndërsa zyrtarët e tjerë kanë vazhduar për kontrollim të kamionëve. Në atë moment më ka kontaktuar në telefon Veton Elshani, të cilit i kam treguar se ka arritur patrulla. Gjatë bisedës me të kanë ndodhur dy shpërthime të njëpasnjëshme. Kam arritur t’i them në telefon se ka edhe të shtëna, pasi ato kanë filluar menjëherë dhe unë kam marrë pozicion mbrojtjeje”, ka thënë ai.
Shaqiri ka thënë se të shtënat që kanë nisur menjëherës pas shpërthimit nuk janë ndalur asnjë çast. Ai ka theksuar se kundër tyre është përdorur edhe armatim i rëndë, por nuk ka qenë në gjendje të saktësojë se me çfarë armësh janë sulmuar nga grupi i armatosur.
“Për shkak të errësirës në pjesën e fshatit nuk kemi arrit t‘i identifikojmë çfarë pajisesh, por ka qenë armatim i rëndë”, ka thënë ai.
Por ai ka treguar se sulmi ndaj tyre është kryer nga disa pozicione brenda fshatit.
“Sulmi ka ardhur nga manastiri i fshatit dhe përreth. Gjatë qëndrimit me kolegë afër kamionëve, zyrtari policor Mirsad Kryeziu na është afruar dhe është munduar që të bëjë lëvizje për t’u afruar te vetura që e kemi pasur në lokacion. Derisa ai ka bërë lëvizje, unë me kolegë e kemi mbuluar me zjarr. Mirsadi është afruar te vetura për t’ i dhënë ndihmë rreshterit Bunjaku. Është futur te njëra veturë, ka tentuar ta ndezë, por kolegu Albani i ka treguar se vetura ishte dëmtuar dhe nuk punonte”, ka thënë ai.
Shaqiri ka treguar se rreshterin e plagosur kanë arritur ta fusin në një veturë tjerër të policisë, kur ka konstatuar se nuk kishte puls, e megjithatë janë mundur t’i japin ndihmë tjetër.
“Më është thënë nga kolegu Rashiti që të bëjmë dëmtimin e ndriçimit, për shkak se kemi qenë në pozicion të zbuluar dhe në rrezik të madh për jetë. Mirsadi e ka marrë veturën tjetër dhe është afruar te trupi i rreshterit të ndjerë Bunjaku. Ka filluar ta tërheqë trupin e tij, ta fusë në veturë, ku i ka ndihmuar edhe një koleg tjetër nga stacioni i Zveçanit, por për shkak të sulmit nuk kanë mundur që vetëm ata dy ta fusin në veturë. Mirsadi ka kërkuar ndihmë nga kolegët e tjerë. Albani ka thënë që për shkak të plagëve dhe gjakderdhjes nuk mund të tërhiqej, prandaj më ka thënë mua që t’i ndihmojë. Kam dalë te pjesa e kolegëve dhe e kam shtyrë trupin për ta futur në veturë, por s’kemi mundur, prandaj kam kaluar në anën tjetër dhe e kam tërhequr trupin në veturë. Në ato momente kam kërkuar për puls, nuk kam mundur të vërej, por për shkak të sulmit s’kemi mundur t’i japim ndihmë tjetër”, ka thënë ai.
Seanca gjyqësore kundër tre nga 45 të akuzuarve të rastit “Banjska” do të vazhdojë të mërkurën. më 11 qershor, ku pritet të dëshmojnë dy të pjesëtarët tjerë të policisë, të cilët ishin plagosur në sulmin nga grupi i serbëve të armatosur, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve nuk u kanë bërë pyetje dëshmitarëve. Avokatja e Dushan Maksimoviqit, Jovana Filipoviq, ka thënë pas seancës se dëshmitarët nuk kanë qenë në gjendje të identifikojë asnjërin nga të akuzuarit.
“Të gjithë dëshmitarët e propozuar për këtë javë nuk kanë deklarata konkrete lidhur me të pandehurit, prandaj nuk presim të mësojmë ndonjë të re”, ka deklaruar ajo për gazetarët.
Në seancën e parë gjyqëesore, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, janë deklaruar të pafajshëm.
Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:
Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.
Për çfarë akuzohen të dyshuarit për sulmin në Banjskë?
Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e akuzojnë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi, por Serbia e mohon përfshirjen në çfarëdo mënyrë në këtë sulm.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, përfshirë Radoiçin, i cili e ka pranuar se ka qenë udhëheqës i grupit. Por. Beogradi e kundërshton dorëzimin e Radoiçiqit e të të akuzuarve të tjerë te organet e drejtësisë në Kosovë.
(r.m.)