Dy serbë të akuzuar për krime lufte në Kosovë ftohen të paraqiten në gjykatë

Prishtinë, 12 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka ftuar të paraqiten në seancë gjyqësore Millan Jovanoviqi dhe Dejan Raçiq, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Jovanoviq, i lindur në Ferizaj, tash me vendbanim të panjohur, akuzohet se, bashkë me persona të tjerë të panjohur, të uniformuar dhe të armatosur, kanë kryer krime lufte ndaj popullsisë civile. Gjykata Themelore ka kërkuar që Jovanoviqe të paraqitet sa më parë në këtë gjykatë, në mënyrë që kjo çështje penale “të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar”.

Ndërsa, Raçiq, i lindur në fshatin Videjë të komunës së Klinës, dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

“Konform nenit 303 paragrafi 8 të KPPRK-së, gjykata i bënë thirrje të akuzuarit Dejan Raciq, të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar me datë dhe në kohë si më lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Jovanoviq e Raçiq nuk kanë qenë të qasshëm për organet e drejtësisë së Kosovës, prandaj procesi i hetimeve ndaj tyre është zhvilluar në mungesë. Edhe procesi gjyqësor ndaj tyre do tëzhvillohet në mungesë, në qoftë se ata nuk paraqiten në gjykatë.

Dyshohet se dy të akuzuarit, Jovanoviq e Raçiq, gjenden në Serbi, por autoritet e Serbisë nuk bashkëpunojnë me organet e drejtësisë në Kosovë.

(r.m.)