Dy shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kukullave në Nju Jork hapin siparin e vitit të ri shkollor dhe mundësinë e një bashkëpunimi me perspektivë

Rafaela Prifti

Dy pjesët e mbrëmshme nga Teatri Kombëtar i Kukullave në auditorin e PS 108 pranë Morris Park, Bronx, përkuan me hapjen e vitit të ri shkollor dhe vijnë pak muaj pas arritjes historike të përfshirjes së shqipes në komunikimet zyrtare të shkollave publike të Nju Jork-ut. Pikërisht në këtë institucion sapo filloi për herë të parë programi dygjuhësh shqip-anglisht për fëmijët e kopshtit. Drita Gjongecaj, promotore e nismës dhe drejtoreshë e shkollës “Bijtë e Shqipes” (Children of the Eagle) ndien krenari si edhe besim se të rinjtë mund ta ruajnë trashëgiminë gjuhësore dhe identitetin e tyre në një shoqëri shumë-kulturore.

Në skenën e auditorit ishin improvizuar dekori dhe skenografia e teatrit me kukulla në sfondin e një perdeje të zezë. Fëmijët e ciklit të ulët me prindërit dhe motrat e vëllezërit ulur pranë ndiqnin shfaqjen e mysafirëve nga Shqipëria si pjesë e programit të aktivitet jashtëshkollor. Disa mbanin plisa të bardhë me shqiponjën dykrenore ndërsa dëgjonin regjisoren Klaudia Hila të prezantonte dy pjesët e Teatrit Kombëtar të Kukullave.

Shfaqja e parë E bija dhe Hënës dhe e Diellit, e realizuar me kukulla me tel, me zëra dhe muzikë të regjistruara paraprakisht, përcillte rrëfimin e gjyshes për një trim, i cili në emër të besës është i gatshëm të vetëflijohet por shpëtohet nga dashuria e vashës qiellore. Shfaqja e dytë Qeni që nuk dinte të lehë, realizuar në mbi një platformë druri me kukulla dore (marioneta), ishte një fabul që lejonte pjesëmarrje të dyanshme nga ana e fëmijëve në audiencë.

Dy aktoret e talentuara Esmeralda Kame dhe Ermonela Lika mbuluan të gjitha rolet me mjeshtëri interpretimi, lëvizje koreografike dhe këngë. Pas shfaqjes, regjisorja Klaudia Hila i ftoi spektatorët e vegjël të fotografohen me kukullat në skenë. Përpara aparateve të prindërve, fëmijët iu afruan kukullave, disa prej tyre mbanin ndonjë “personazh” në dorë. Një prej tyre formoi me duar shenjën e shqiponjës për të shprehur pa fjalë atë çka ndjente në zemër.     

Të dyja shfaqjet u dhanë në Boston dhe në Uster gjatë fundjavës, nën kujdesin e Teatrit të Diasporës, i cili e mundësoi ardhjen e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Amerikë, një nismë e mirë që hap shumë perspektiva bashkëpunimi të reja. Në sajë të bashkëpunimit të tyre me aktivistin Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe Drita Gjongecaj, pjesët teatrale erdhën përpara publikut të moshave të reja në Bronks, Nju Jork. Turneu në Amerikë vazhdon në shtetin e Connecticut ku do jepet shfaqja tjetër përpara se trupa të kthehet në Tiranë.