dhe bijtë e tyre poetë…
Nga Visar Zhiti
Fate po aq sa të ngjashëm, të ndryshëm po aq… luftëtarë të dy…
Është një datë, që i sjell në kujtesën kolektive më fort se ditët e tjera.
25 nëntor – dita kur Petro Marko lindi,
25 nëntor – dita kur Isuf Luzaj ndërroi jetë.
Moshatarë të vitit 1913, pra kanë dhe 110 vjetorin të dy…
Petroja është nga Bregu i Vlorës, Dhërmiu dhe Isufi nga Kanina e Vlorës.
Të dy e donin atdheun, patriotë dhe luftuan të dy me armë në dorë kundër pushtuesit, – do t’u thosha nxënësve si mësues, – por liritë i patën të ndryshme…
Petroja u lidh me partizanët fitimtarë dhe pësoi burgun e tyre, Isufi me humbësit e Ballit Kombëtar dhe u detyrua t’i ikë persekutimit, mërgoi në Amerikë…
A ishin njohur, takuar? Besoj se po…
Librat e Petro Markos, mirëpriteshin nga lexuesi, por dhe nga kritika e Realizmit Socialist, ndërsa regjimi i ndalonte shpesh e më shpesh…
Librat e Isuf Luzajt nuk mund të futeshin në Shqipërinë e mbyllur si burg, ashtu si autori i tyre, ato ishin të dënuara…
Ndërkaq edhe djali i Petro Markos edhe djali i Isuf Luzajt do të ishin poetë, njëri në burg dhe tjetri në internim.
Jamarber Marko, pasi lirohet, por mbas rënies së perandorisë komuniste do të botonte një përmbjedhje me poezi hermetike, që do vlerësoheshin dhe do të futeshin antologjive.
Dalan Luzaj do ta kalonte jetën internimeve, por pasi diktatura komuniste u shpërbë dhe Shqipëria u hap, ai iku, erdhi te i ati në Chicago SHBA, ka botuar shumë libra me poezi, lirika të dhimbjes dhe vuajtjes, dëshmi të një jete në dy kohë dhe dy vende…
A i përkujtojnë sot Petro Markon dhe Isuf Luzajn? Tirana ku Petroja jetoi dhe punoi si shkrimtar? Po shqiptarët në Chicago, ku Isufi pati shtëpinë e fundit dhe librat?
Në nderim të tyre, që i dhanë aq shumë letrave shqipe, po dhe të bijve të tyre poetë, “të letërsisë tjetër” që u martirizua, po sjell shënime nga libri im “Kartela të Realizmit të dënuar”:
Jamarbër Marko
(1951- 2010)
Petro Marko
(1913- 1991)
Jamarbër Markon e njoha mbas burgut. Poet i një metafore tronditëse. Biri i shkrimtarit të shquar…
Ati, Petro Marko ishte autor që e studionim në shkollë dhe papritur e ndalonin veprën e tij dhe ajo na bëhej më e dashur. E shikon nga larg me adhurim, madje dhe e kam takuar njëhere, isha me tim atë që njiheshin…
Shkrimtar luftëtar, i burgosur nga çdo regjim në çdo epokë të jetës së tij. Që e burrëronin dhe e bënin më të bukur…
Kur është gazetar i ri në Tiranë, me të shpërthyer Lufta e Spanjës, shkon vullnetar atje, njihet dhe me Heminguejin, kështu thoshte, e me shkrimtarë të tjerë në luftë.
Kudo që do të ndodhet nëpër Evropë, lufton me fashizmin.
Dhe kthehet në Shqipërinë e pushtuar dhe e burgosin…E çojnë larg. Në Ventotene? Jo, më poshtë dhe më larg në një ishull tjetër në Sicili, në Ustika, për të cilin do të botojë më vonë romanin “Një natë me dy agime”.
Çajnë burgun e Ustikës dhe bashkohet me partizanët italianë, hidhet në zonat e çliruara të Italisë, bashkon shqiptarët e mbetur andej… Kthehet në Shqipërinë e çliruar, rebel si përherë, ngrihet kundër diktatit të Beogradit ndaj vendit tonë dhe shumë shpejt e arrestojnë.
Saturni po hante bijtë e vet. Nis në burg romanin “Hasta la vista”, e nxjerrin nga burgu, e rehabilitojnë, përfundon romanin dhe e boton. Pasojnë vepra të tjera, që shpesh ia ndalojnë, se “ka qenë në burg, është i dyshimtë”, por bëhet i dashur për lexuesin me pasionin e tij prej poeti plot dufe lirie.
Shumëçka e ka treguar tronditshëm në librin “Retë dhe gurët- Intervistë me vetveten”.
Më nëpërmendet, kur në qeli i sjellin profesor Zuberin, një nga gjeologët më të mëdhenj të botës, të cilin dikur e kishte thirrur dhe Lenini për të zbuluar puset e Bakusë, madje atje i kishin ngritur dhe një bust. Dhe tani e kanë katandisur në një grumbull të gjakosur leckash. Kurse Petro Markon e mbajnë varur pas dritares me zinxhirët në qafë. Hapet dera dhe një çizme e rëndë partizani bie egër mbi fytyrën profesor Zuberit, e vrasin në qeli, sepse “nuk ka gjetur rezerva floriri në nëntokën shqiptare”.
Goditja tjetër më e rëndë që merr në jetë shkrimtari i njohur Petro Marko, siç e thotë edhe vetë në kujtimde, është burgosja e të birit, Jamarbër Marko, poet dhe ai, për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe shtetit.
Trashëgohet dënimi. Lirohet dhe Jamarbëri, por nuk i shpëton përndjekjes, ai nuk mund të botojë dot gjë…
Petro Marko vdes i drobitur dhe i zhgënjyer në prag të rënies së perandorisë komuniste, për të cilën dhe luftoi, “me pushkë dhe me penë”, siç thuhej, kishte lindur një vit pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por pa parë kurrë ndonjë agim të dytë.
Gjithsesi ai mbetet një nga shkrimtarët më interesantë shqiptarë të shekullit XX.
Jamarbër Marko do të botonte poezitë e veta pak para vdekjes së vet, i drobitur dhe i shkatërruar nga burgu…
Shkrimtari Isuf Luzaj
(1913 – 2000)
…shet tokën e vet me ullinj në Vlorë për të studiuar jashtë vendit, në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku do të mbrojë dy doktoratura, në filozofi e në letërsi.
Në atdhe punon në Normalen e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës. Përmbledhja e parë poetike e tij “Rrëfime” nuk arrin të shpërndahet, e ndalin edhe autorin nga shkaku i poezisë “Neroni”.
Si kundërshtar aktiv, e shpërngulin në Itali në ishullin e të dënuarve, Ventotene. Me ndërhyrjen e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, lirohet nga burgu dhe rikthehet për t’u bashkuar me nacionalistët, që luftonin për çlirim, por kur kishte nisur vëllavrasja dhe pabesitë.
Pasi humbin, me të mbaruar lufta, ikën duke lënë familjen, por në Itali e dënojnë, akuza: dyshime për vrasje e një gjenerali italian gjatë luftës.
Me ndihmën e Sandro Pertinit. Presidenti i ardhshëm i Italisë, me të cilin ishin njohur në Ventotene, punon në Bibliotekën e Vatikanit.
Fati i tij që në Argjentinë kërkohej një profesor filozofie me diplomën e Sorbonës. Do të njihej me shkrimtarin Jorge L. Borges. Mbas 18 vjetësh punë atje, e ftojnë në SHBA, ku e zgjedhin kryetar të Ballit Kombëtar në Kongresin e Nju-Jorkut.
Isuf Luzaj, krahas titullit “Professor emeritus”, merr edhe dekoratën “Profesor i Amerikës”, të cilën ia jep vetë Presidenti Regan. Mban leksione në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshirë, Indiana etj. Emërohet titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinoisit.
Ka lënë në dorëshkrim edhe 32 vëllime, poezi, filozofi, histori, ditarë, romane etj., të gjitha të panjohura në atdhe, por edhe të dënuara të gjitha.
Poeti Dalan Luzaj,
(jemi pranë në Chicago)
Në kopertinën e pasme të njërit prej librave të Dalanit është dhe kjo thënie imja:
“Duke u lidhur me poezinë, Dalan Luzaj duket sikur i ka dhënë kuptimin që do të donte jetës së tij.
Nën diktaturë, larg, për poetë me fatin si të tij, poezitë ishin si fasha të fshehta për plagët, ndërsa tani i shërbejnë mallit të të ikurit në liri, kujtesës më të vështirë, asaj gjuhësore të shpirtit.
Strofa të rregullta, rima e metafora, të gjitha për të mbushur poemën e një mungese të dhimbëshme.”