Korçë, 23 gusht 2021 – Policia e Shqipërisë bën të ditur se më 22 gusht e arrestoi në Korçë një 21-vjeçar me inicialet R.L, i cilii dyshohet se hodhi gaz lotsjellës gjatë performancës së këngëtarit Goran Bregoviq në Festën e Birrës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Policia bëri të ditur se është arrestuar edhe një person tjetër, me inicialet F.K, i cili, siç thuhet në njoftim, “i ka kundërshtuar forcat e policisë, me qëllim pengimin e tyre në kryerjen e detyrës”, gjatë arrestimit të të dyshuarit përhedhje të gazit lotsjellës.
“Në vendngjarje u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kapsollë detonatore e paplasur”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policianjoftoi gjithashtu se janë duke vazhduar hetimet për të konstatuar nëse ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Të dielën, më 22 gusht, në mbrëmje, këngëtari Goran Bregoviq performoi në Festën e Birrës në Korçë. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje ishte kundërshtuar fuqishëm, sidomos në Kosovë.
Bregoviq e nisi koncertin me këngën në gjuhën shqipe “Kosovska” (e Kosovës) të bendit “Bijelo Dugme” dhe e përfundoi me këngën “Kallashnikov”, e cila është kënduar nga forcatmilitare e paramilitare serbe që kanë kryer krime e masakra në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Goran Bregoviq ka qenë frontman i grupit “Bijelo Dugme”, njërit nga grupet më të njohura të rokut në ish-Jugosllavi. Ai ka lindur në Sarajevë, më 1950. Babai i tij ishte kroat, nëna serbe, kurse gruaja e tij është boshnjake.
Bregoviq vetë nuk është shprehur publikisht për luftërat në ish-Jugosllavi. Në vitin 1999, gjatë sulmeve ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake e policore serbe në Serbi, ai kishte mbajtur një koncert në Selanik të Greqisë, ku i kishte barazuar të gjitha viktimat e luftërave në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
(r.m.)