Prishtinë, 13 janar 2026 – Shyhrete Berisha nga Suhareka, e mbijetuar e masakrës së Suharekës, e ka fituar të drejtën e pronësisë së shtëpisë në të cilën ka jetuar me bashkëshortin dhe fëmijët e saj, deri më 26 mars 1999, kur ata u vranë barbarisht nga forcat serbe.
Kjo e drejtë i është njohur asaj me vendim përfundimtar të Gjykatës së Apelit, pas një beteje ligjore gatyi 20 vjeçare.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i zonjës Berisha, Miftar Qelaj, i cili ka thënë se sot e ka pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit.
“Sot e kemi pranuar një aktvendim nga Gjykata e Apelit, përmes Gjykatës Themelore, dega në Suharekë, me të cilin janë refuzuar ankesat e palëve dhe është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë në Suharekë. Aktgjykimi i shkallës së parë, i cili është në fuqi dhe është vërtetuar përmes aktgjykimi të Gjykatës Apelit, zonjës Shyhrete ia njeh të drejtën në pronësi në shtëpinë e saj pët të cilën ka luftuar shumë gjatë“, ka thënë avokati Qelaj.
Ai ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e palëve në contest dhe e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Suharekë, duke ia njohur Shyhrete Berishës të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë e saj.
Avokati ka thënë se për aktvendimin e Apelit e ka njoftuar zonjën Berisha dhe se ajo është shprehur shumë e emocionuar.
“Është personi i parë me të cilin kam komunikuar, menjëherë pasi e kam pranuar aktvendimin… E kam marrë në telefon, pasi ajo nuk është duke jetuar në Kosovë për momentin dhe e kam njoftuar. E ka pritur me shumë emocion e me shumë gëzim”, ka thënë ai.
Shyhrete Berisha është njëri nga tre të mbijetuarit e masakrës së Suharekës. Në këtë masakër asaj i ishin vrarë bashkëshorti Nexhati dhe katër fëmijët: Majlinda, Herolinda, Altini dhe Redoni.
Vetë Shyhretja, e cila ishte plagosur, ishte ngarkuar si e vdekur në një kamion, bashkë me trupat e pajetë të të vrarëve tjerë që po transportoheshin nga vendi i ngjarjes. Ajo kishte arritur në shpëtonte duke kërcyer nga kamioni në lëvizje, në rrugë në drejtim të Prizrenit.
Pas përfundimit të luftës, Shyhretes i mohohej e drejta e pronësisë mbi shtëpinë nga kunetërit e saj, për shkak se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë trashëgimtar.
Në masakrën e Suharekës, të kryer nga forcat politcore e ushtarake serbe më 26 mars 1999, ku u vranë 48 shqiptarë, 46 prej të cilëve ishin anëtarë të familjes Berisha.
(r.m.)