E thashë të vërtetën për Bregun Perëndimor, prandaj u kërcënova dhe sulmova

Nga Issa Amro / The Guardian

Përkthimi: Telegrafi.com

Jetë tona po shkatërrohen nga vendbanimet ilegale, ndërsa ngritja e 22 të tjerave është miratuar. Në qoftë se Izraeli nuk mbahet përgjegjës ne do të fshihemi nga harta.

 

Secili prej 22 vendbanimeve të paligjshme të miratuara nga Izraeli javën e kaluar, paraqet një gozhdë tjetër në arkivolin e procesit të paqes që po ngulitet me bashkëfajësinë e qeverive dhe korporatave perëndimore. Vendbanimet izraelite nuk janë lagje të padëmshme civile – ato janë mjete kryesore të shpronësimit, të kontrollit dhe aparteidit. Janë zona të mbyllura dhe të militarizuara në tokën e vjedhur të palestinezëve, të cilat na ndërpresin qasjen në burimet tona, në tokat tona bujqësore, shkollat, vendet e punës dhe te njëri-tjetri. Tokat palestineze po tkurren me shpejtësi, mjetet tona të jetesës po shkatërrohen, të drejtat tona po shkelen në mënyrë sistematike dhe identiteti ynë po minohet.

Ligjvënësit perëndimorë e vështrojnë këtë situatë, duke shprehur përkushtimin ndaj paqes përmes zgjidhjes me dy shtete, por zgjedhin të mos bëjnë asgjë për ta realizuar atë. Në vend të kësaj, politikat e tyre dhe mosveprimi i tyre lejojnë ngritjen e mëtejshme të vendbanimeve.

Në Bregun Perëndimor jetojmë ashiqare në një sistem me dy nivele, megjithatë shumica e ligjvënësve vazhdojnë të shmangin përdorimin e fjalës “aparteid”, pavarësisht se organizatat palestineze, izraelite dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut pajtohen për saktësinë e këtij përkufizimi – dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë [GjND] e ripohoi këtë që në korrikun e kaluar. Dokumentari i BBC-së, Kolonët [The Settlers], nga Louis Theroux, ndihmoi në ekspozimin e kësaj realiteti, duke treguar sesi unë pengohesha të ecja në të njëjtat rrugë me izraelitët, në një lagjet të Hebronit ku kam lindur.

Si reagim ndaj dokumentarit, kolonët dhe ushtarët izraelitë hynë me forcë në oborrin tim, e dëmtuan dhe më sulmuan. Ushtarët nuk bënë asnjë arrestim, por në vend të kësaj më kërcënuan se do të më arrestonin nëse do të paraqisja ankesë. Pastaj, një mëngjes, herët në orën katër, kolonët e rinj ndezën një zjarr të madh në tokë private palestineze, jashtë shtëpisë sime, ndërsa këndonin se shpresonin të më shihnin të vrarë. Një person tjetër, për të më trembur, u shfaq përballë shtëpisë sime i veshur me uniformë ushtarake dhe me një armë gjysmë-automatike. Më pas, kolonët vodhën flamurin pan-afrikan që ma kishte dhuruar lëvizja Vlen jeta e njerëzve me ngjyrë [Black Lives Matter] dhe e dogjën bashkë me një grumbull flamujsh palestinezë.

I njëjtin tregim vlen për Masafer Jatën aty pranë, i përfshirë jo vetëm në Kolonët, por edhe në filmin fitues të çmimit Oskar, Asnjë tokë tjetër [No Other Land]. Regjisorët Basel Adra dhe Yuval Abraham kërkuan ndërhyrje javën e kaluar, për të ndalur shkatërrimin e zonës, ndërsa bashkëregjisori Hamdan Ballal u ndalua dhe u rrah si ndëshkim për pjesëmarrjen në realizimin e filmit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli Izraelin përgjegjës për krimin e aparteidit, megjithatë udhëheqësit perëndimorë rrinë në heshtje. Gjykata arriti në përfundimin se jo vetëm vendbanimet e Izraelit, por i gjithë pushtimi i Bregut Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës, është i paligjshëm, dhe se bashkësia ndërkombëtare është e detyruar të ndihmojë në çmontimin e vendbanimeve, evakuimin e kolonëve dhe përfundimin sa më të shpejtë të pushtimit. Pse atëherë udhëheqësit perëndimorë nuk veprojnë?

Duket se qeveritë perëndimore më me dëshirë do të minonin vetë sistemin ndërkombëtar të drejtësisë sesa të kërkonin llogari nga Izraeli. Edhe kur dëgjohen ndonjëherë kritika më të ashpra ndaj Izraelit, ai prapë vazhdon me krimet e tij të luftës – siç shkroi Nesrine Malik javën e kaluar.

Qeveritë duhet të marrin urgjentisht masa, ashtu siç kërkohet nga GjND-ja, për të ndaluar marrëdhëniet tregtare që ndihmojnë mbajtjen gjallë të pushtimit të paligjshëm, duke filluar me një ndalim të plotë të çdo tregtie dhe investimi në bizneset të cilat operojnë në vendbanime. Jo vetëm kolonët individualë, por edhe zyrtarët e lartë përgjegjës për vendbanimet e paligjshme dhe për regjimin e aparteidit, duhet të sanksionohen dhe të vihen përpara drejtësisë për këto krime lufte. Nuk duhet të ndalohen vetëm disa, por të gjitha dërgesat e armëve për Izraelin.

Dhe ju, lexues të ndërgjegjshëm, nuk duhet vetëm të lexoni dhe të shikoni se çfarë po ndodh, por edhe të përdorni zërin tuaj dhe të ndërmerrni veprime. Ne po mbështetemi te ju që të vazhdoni ta mbani në qendër të vëmendjes Gazën dhe Bregun Perëndimor, dhe të mbani përgjegjës parlamentarët tuaj, qeveritë dhe korporatat. Ndërroni bankën ose fondin e pensionit nëse ai investon në kompani të përfshira në vendbanimet e paligjshme apo që furnizojnë Izraelin me armë për gjenocid dhe aparteid.

Pa veprime konkrete tani, ne do të fshihemi nga harta – jo vetëm në Gazë, por edhe në gjithë Bregun Perëndimor. Nga janari, dyzet mijë refugjatë palestinezë janë dëbuar nga shtëpitë e veta në Bregun Perëndimor. Njëzet komunitete palestineze janë dëbuar nga tokat e veta pas sulmeve të kolonëve dhe të ushtrisë pushtuese, duke përdorur edhe buldozerë. Javën e kaluar, 30 familjet e fundit të mbetura në Maghair al-Deir, afër Ramallahut, u detyruan të largohen pas eskalimit të muajve të fundit të dhunës nga kolonët – me mbështetjen e shtetit.

Pavarësisht këtyre kohëve jashtëzakonisht të errëta, unë e shkruaj këtë me një ndjenjë të thellë shprese në zemër, të frymëzuar nga shumë njerëz të ndërgjegjshëm në botë që qëndrojnë në krahun tonë.

Kjo është një provë për udhëheqjen globale, jo vetëm për politikat, por për parimet. Ne palestinezët kemi nevojë për mbrojtje dhe drejtësi – tani, përpara se të jetë tepër vonë.

 

(Issa Amro është aktivist palestinez për mbojtjen e të drejtave të njeriut)

Comment

*