Prishtinë, 1 shtator 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se i ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) dhe se për kë raste janë pwrfshirw edhe 21 tw dyshuar të tjerë, duke e çuar në 69 numrin e të pandehurve në këtë rast.
Prokuroria tha se 21 tw pandehurit e fundit dyshohen për veprën penale të “keqpërdorimit të besimit në besim”. Dyshohet se ata, duke mos i respektuar rregullat dhe procedurat e BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe në përftimin e shumave të të hollave pa mbulesë, në vlerë nga 2.000 deri në 53.000 euro për person.
Prokuroria Themelore në Prizren tha se dëmi shtesë i shkaktuar është rreth 200.000 euro. Paraprakisht ishte vlerësuar se dëmi i shkaktuar nga keqpërdorimet e dyshuara në BKS ishte rreth 1.043.000 euro.
Në aksionin e 1 shtatorit, autoritetet kanë sekuestruar dhe kanë ngrirë 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, “të cilat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve”.
“Gjithashtu, gjatë ditës së sotme Prokuroria në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjencës Financiar, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar”, tha Prokuroria.
Në janar, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në BKS autoritetet arrestuan dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-drejtorin ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtorin e financave në këtë byro, Valon Berisha.
Pas arrestimit të tyre, prokuroria tha se Mazreku dhe Berisha dyshohet se duke keqpërdorur autorizimet e BKS-së kanë mundësuar kryerjen e transaksioneve të paligjshme.
Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë jofitimprurëse, e cila është përgjegjëse për administrimin e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve në Kosovë, dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës.
Ajo u themelua më 7 gusht 2011, bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.
(r.m.)