Tiranë, 20 tetor 2026 – Në ditën e tetë me radhë të protestës antiqeveritare në Shqipëri, protestuesit dhe policia janë përplasur sërish në qendër të Tiranës, afër Kryeministrisë.
Në orët e mbrëmjes të 20 tetorit, pas disa orësh protestë pa incidente, u hodh koktej molotovi dhe gurë drejt forcave të rendit dhe ata ndërhyn me topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën në disa drejtime.
Paraprakisht, policia u bëri thirrje protestuesve që të largoheshin nga perimetri i sigurisë pranë Kryeministrisë.
Policia më pas vazhdoi shpërndarjen e grupeve të protestuesve edhe në sheshin Skënderbej.
Protestuesit, sikurse edhe në ditët paraprake, kanë vendosur në mes të rrugëve të Tiranës kosha të mbeturinave dhe duke i djegur ato dhe kanë krijuar kaos në trafik.
Protestuesit u shpërndan dhe u grumbulluan sërish në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe policia sërish përdori topa uji dhe gaz lotsjellës ndaj tyre dhe nga pamjet e drejtpërdrejta u panë edhe disa ndalime të protestuesve.
Studentët dhe qytetarët e tjerë që po protestojnë po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Qeverisë së tij. Ky i fundit ka ftuar për dialog studentët protestues, që nuk janë përfshirë në akte dhune, por ka refuzuar të dorëhiqet.
Protesta e sotme nisi në mëngjes me pedagogët që iu bashkuan studentëve protestues. Gjatë ditës policia po ashtu ndërhyri me topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që u mblodh para Ministrisë së Arsimit, pasi protestuesit hodhën gurë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi masa penale dhe administrative ndaj personave që kanë shkaktuar dëme gjatë protestave të ditëve të fundit, ndërsa tha se qeveria po shqyrton edhe mundësinë e kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.
Që nga 13 tetori, mijëra njerëz kanë protestuar fillimisht në Tiranë e pastaj edhe në qytete të tjera, nxitur nga pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës ekonomike.
Protestat u zgjeruan shpejt, duke përfshirë qytetarë që kundërshtojnë koston e jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij.
Por, pavarësisht protestave dhe kërkesave për dorëheqje, Rama nuk dha asnjë sinjal se do të tërhiqet nga posti.
Rama e mbrojti reagimin e policisë, e cila është kritikuar për përdorim të dhunës së tepruar ndaj protestuesve, Ai i cilësoi protestat si përpjekje për destabilizimin e vendit dhe paralajmëroi një pako masash që, përveç përgjegjësisë penale, do të përfshijë edhe detyrimin për të kompensuar dëmet materiale. Sipas tij, përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga të miturit duhet të përfshijë edhe prindërit.