Edhe një përpjekje e dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 19 qershor 2025 – Të enjten ka dështuar për herë të 34-të seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Procesi i konstituimit ka ngelur te votimi për Kryetar të Kuvendit. Propozimi i partisë fituerse të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit është refuzuar përsëri nga tri partitë shqiptare, ndërsa deputetët e partisë më të madhe serbe, Listës Serbe, nuk kanë marrë pjesë fare në seancë.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 102 deputetë. 51 deputetë kanë votuar për formimin e komisionit, ndërsa një deputet ka votuar kundër. Deputetët tjerë të pranishëm nuk kanë votuar fare.

Seanca e radhës do të mbahet të shtunën në ora 10:30.

Partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në njërën anë, dhe tri partitë e renditura pas saj (Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë akuzuar reciprokisht për bllokimin e procesit të konstituimin e Kuvendit, rrjedhimisht edhe të procesit për formimin e qeverisë së re.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, ka thënë se partitë e ish-opozitës po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa qëllim të qartë.

“Shprehim zhgënjimin tonë të thellë për këtë bllokadë të qëllimshme dhe në plotni në kundërshtim me Kushtetutën nga opozita. Zgjedhjet janë proces demokratik dhe kur nuk i fiton, minimalja e etikës politike dhe njerëzore, është ta pranojë dhe të reflektojë karshi rezultatit dhe të vazhdohet rrjedhja procedurale për formimin e institucioneve. Por, kjo nuk po ndodh. Inatet destruktive politike, pa ndonjë qëllim të qartë, po e mbajnë peng tash e disa kohë Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Abrashi.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se ngërçi në procesin e konstituimit të Kuvendit mund të zgjidhet nëse LVV-ja e propozon për kryetar të Kuvendit një kandidat tjetër që është i pranueshëm për partitë tjera.

“Problemi i Kuvendit mund të zgjidhet në atë moment kur partia që ka fituar më së shumti ulëse ta propozojë dikë tjetër të pranueshëm për partitë tjera”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se çështja duhet të zgjidhet vetëm me marrëveshje politike.

“Edhe në takimin e 34-të u konfirmua se çështjet politike dhe zgjedhjet e organeve deri në konstitutim s’mund të zgjidhen me procedura, por duhet me marrëveshje”, ka thënë ai.

Haziri ka përsëritur qëndrimin e LDK-së për krijimin e një qeverie kalimtare, me dakordim të të gjitha partive parlamentare.

“Opsioni i LDK-së mbetet për qeveri kalimtare me parime dhe dakordim”, ka theksuar ai.

Kryetarfi i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar për bllokimin e procesit kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilin edhe me këtë rast e ka quajtur “mashtrues”.

“Për fat të keq, po e paguajmë çmimin që i kemi besuar një mashtruesi. Për mua s’është befasi. Edhe kjo situatë duhet të marrë fund. Mashtruesi s’mund të tallet pa kufi me një vend. Po e mban peng Kosovën e kjo s’bën të shkojë në pakufi”, ka thënë Haradinaj.

(r.m.)