Prishtinë, 15 gusht 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka refuzuar takimin e së martës të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me liderë të partive.
Haxhiu i thirri në takim kryetarët apo përfaqësuesit e partive me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik dhe funksionalizimin e institucioneve kryesore të shtetit.
Deputeti i PDK-së, Uran Ismajli, e cilësoi ftesën e Haxhiut si përpjekje të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për shtyrjen e afateve kushtetuese për formimin e institucioneve. Ai tha se Haxhiu duhet ta kishte ftuar kryesuesin Avni Dehari për të thirrur vazhdiminn e seancës së ndërprerë.
“Kjo është edhe një tentativë e manipulimit të Kurtit me shtyrjen e afateve, kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, tha Ismajli në një konferencë për medie, të shtunën,
“Albin Kurti përmes Avni Deharit po e mban të suspenduar Kuvendin, moskonstituimi nuk do të thotë vetëm mohim i ushtrimit të rolit të deputetit, por edhe mohim i zërit dhe kërkesave të qytetarëve. Ndërkohë që Kurti po merret me kalkulimet e tij, qytetarët po vuajnë. Kjo tani është Kosova e krizave shumëvjeçare të Albin Kurtit”, tha ai.
Ismajli bëri të ditur se PDK-ja i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstitutive të dielën, 16 gusht.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër më 16 gusht. Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës”. Tha ai.
“Kosova nuk mund të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht. Nuk do të pranojmë, nuk do ta normalizojmë një sjellje të tillë. Dhe nuk do ta lejojmë”, theksoi ai.
Para PDK-së, edhe Aleanca e ka refuzuar takimin me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulana Haxhiu.
Kryetari i Aleancës, në një letër dërguar Haxhiut, ka shprehur bindjen se takimi i thirrur prej saj ka qëllim shtyrjen e zgjedhjeve të reja për një datë që i konvenon LVV-së.
“Ju doni ta zvarrisnj këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, ka shkruar Gjini.
(r.m.)