Edhe Portugalia e paralajmëron njohjen e shtetit të Palestinës

Lisbonë, 31 korrik 2025 – Qeveria e Portugalisë njoftoi se së shpejti do të zhvillojë konsultime me Presidentin dhe me Parlamentin mbi mundësinë e njohjes së shtetit të Palestinës. Zyra e bëri të ditur se vendimi do të merret në muajin shtator.

“Portugalia po e shqyrton njohjen e shtetit palestinez, brenda kuadrit të një procesi që mund të përfundojë në javën e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet në Nju Jork në shtator”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Zyra e kryeministrit Luis Montenegro tha se vendimi për konsultime mbi këtë çështje është marrë pas shqetësimeve në rritje “për përmasat jashtëzakonisht shqetësuese të krizës humanitare në Gazë dhe për raportimet e përsëritura për aneksimin e mundshëm të territoreve palestineze” nga Izraeli.

Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, i cilësoi konsultimet e nisura nga qeveria si proces të kujdesshëm dhe të menduar mirë.

“Qeveria ka zhvilluar një proces shumë të kujdesshëm dhe të menduar mirë, gjithnjë duke u konsultuar me partnerët e saj evropianë dhe me partnerë të tjerë”, tha de Sousa pas njoftimit të qeverisë.

Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Paulo Rangel, e cilësoi vendimin e qeverisë si rezultat të “një mendimi të pjekur:

“Është një vendim që është rezultat i një mendimi të pjekur”, tha Rangel për transmetuesin publik portugez, RTP.

Ky vendim i qeverisë së Portugalisë vjen pas njoftimeve të Francës, Britanisë dhe Kanadasë se vendimet e tyre për njohjen e shtetit palestinez do t’i shpallin zyrtarisht në muajin shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Çështja palestineze u aktualizua sidomos pas raportimeve për përmsa dramatike të krizës humanitare në Rripin e Gazës. Agjencia e OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRWA) ngriti alarmin për krizën e urisë në Gaza, për shkak të bllokimit të ndihmave humanitare nga Izraeli. Ajo ka thënë se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës është i kequshqyer dhe se numri i rasteve po rritet çdo ditë.

Mbi 100 organizata ndërkombëtare humanitare dhe grupe për të drejta të njeriut u kanë bërë thirrje të gjitha qeverive në botë që të veprojnë për të parandaluar urine masive në Rripin e Gazës. Ato e akuzojnë Izraelin se po e përdor urinë sim jet lufte.

(r.m.)