Edhe Sllovenia emëron emisar special për Ballkanin Perëndimor

Lubjanë, 30 gusht 2022 – Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, njoftoi sot se vendi i saj ka emëruar Anzhej Frangesh si të dërguar special për Ballkanin Perëndimor dhe se e ka njoftuar të dërguarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“E informova zëvendës ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit Gabriel Escobar për emërimin e të dërguarit tonë për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pres bashkëpunim me ju”, ka shkruar Fajon, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme sllovene ka postuar në Twitter.

Sipas raportimeve, Fajon dhe Frangesh diskutuan në Bled se si Sllovenia mund të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt BE-së dhe situatën në rajon gjatë një takimi me kolegë nga Shqipëria, Prishtina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Anzhej Frangesh, ambasadori i parë rezident i Sllovenisë mori detyrën e tij në Bullgari më 11 qershor 2018.

Më 24 maj 2018, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, emëroi Anzhej Frangesh ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Sllovenisë në Bullgari.

Frangesh iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme në vitin 2003. Gjatë punës së tij në Ministri, nga viti 2005 deri në vitin 2009, ai u dërgua në Ambasadën e Sllovenisë në Beograd, ku u fokusua në bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë dhe nga afër pasoi çështjen e Kosovës.

Në vitin 2011, ai u dërgua në misionin EULEX në Kosovë. Për tri vjet ai kreu detyrat e Zyrtarit Rajonal Ndërlidhës për Beogradin dhe Prishtinën dhe, ndërmjet 2014 dhe 2016, ai ishte i angazhuar si pjesë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm – Delegacioni i BE-së në Beograd, me fokus në dialogun Serbi-Kosovë.

Pas kthimit në Slloveni, ai shërbeu si Këshilltar i Kryeministrit për Punët e Jashtme, derisa mori detyrën e ambasadorit në Bullgari.

(Telegrafi)