Edi Rama e shkarkon Vlora Hysenin nga detyra e kreut të SHISH-it

Nju Jork, 22 shtator 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar për lirimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHIH).

Rama ka njoftuar për shkarkimin e kreut të SHISH-it përmes një postimi në rrjetin social X, pak kohë pasi SPAK njoftoi se ndaj saj është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpiak dhe pezullim nga detyra e drejtores së SHISH-it.

Rama ka thënë se “përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit” e shkarkon nga detyra duke respektuar pavarësinë e organeve të drejtësisë “për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”.

Ai ka thënë se hetimi i personave që ushtrojnë fu nksione publike “të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse”.

“…kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se Vlora Hysenit i është falëndërues “për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë”, por është distancuar nga “gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë”.

Rama ka thënë se drejtuesi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit do të zgjidhet sapo ai të kthehet nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në Sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Postimi i plotë i Ramës:

Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.

Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.

Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.

Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.

E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

(r.m.)

Comment

*