EFEKTI BERLUSKONI DHE SHQIPËRIA

Nga Ruben Avxhiu

Ka pasur gjithmonë një interes, të përzjerë me adhurim për Berluskonin në Shqipëri. Kjo vjen edhe për shkak se politika italiane është ndjekur me kuriozitet shumë të madh sidomos në vitet 1990 nga shqiptarët.

Kjo nuk kishte të bënte vetëm me afërsinë me Italinë dhe njohjen masive të gjuhës italiane nga shqiptarët që ndiqnin me pasion radion dhe televizionin italian prej gati gjysëm shekulli.

Kishte edhe një arsye tjetër interesante.

Shqipëria sapo kishte lënë pas komunizmin dhe po përpiqej të mësonte jetën politike të demokracisë. Mirëpo, çfarë kishim ne për të mësuar nga vende si SHBA, Gjermania, Franca e vende të tjera me demokraci të qendrushme prej shumë dekadash?

Italia ishte diçka tjetër.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë ndodhën dy dukuri të mëdha. Nga një anë, Partia Komuniste Italiane që për dekada me radhë kishte marrë para nga Bashkimi Sovietik e mbante me krenari fjalën “komuniste” në emrin e saj hyri në krizë të rëndë, për shkak të rënies së komunizmit në botë. PKI u detyrua të shndërrohej në diçka tjetër.

U themelua kështu Partia Demokratike e të Majtës, kurse komunistët e pashërueshëm krijuan Partinë e Rithemelimit Komunist.

Nga ana tjetër, Demokracia Kristiane, partia e djathtë që kishte qeverisur Italinë praktikisht për gjysëmshekulli, u copëtua për shkak të skandaleve të mëdha të rryshfeteve, zbulimit të rrjetteve të pafund të favorizimit, e nepotizmit politik në të gjitha aspektet e jetës.

Papritmas, Italia nuk kishte një krah të djathtë politik. Ai duhej të krijohej nga fillimi, kurse partia komuniste kishte ndërruar emrin dhe kishte nisur një kurs tjetër duke mohuar të kaluarën e saj.

Ngjashmëria me Shqipërinë ishte marramendëse. Megjithëse njëri vend kishte jetuar në anën e gabuar të Europës së ndarë, kurse tjetri në anën perëndimore, në kuptimin e thjesht praktik të spektrit politik po përjetonin situata të ngjashme.

Në Shqipëri, Partia e Punës ndërroi emrin në Parti Socialiste dhe u paraqit si e shkëputur nga qeverisja 46 vjeçare që i kishte bërë vendit, kurse e djathta duhej të ngrihej nga fillimi pas lejimit të pluralizmit.

Shqiptarët shihin përtej Adriatikut një proces të ngjashëm, ndonëse në kushte tërësisht të tjera. Ky ishte vendi ku mijëra vetë përpiqeshin të shkonin duke rrëmbyer anije e duke kërcyer në skafe të paligjshëm. Ky vend që edhe për vete nuk e kishte zgjidhur punën e përfaqësimit politik e ideologjik, por që ndryshe nga ne ishte një nga shtatë vendet më të industrializuara të botës.

Kur Berluskoni “zbriti në fushë”, në janar 1994 dhe themeloi lëvizjen Forca Italia, vakuumi në të djathtën italiane u mbush. Deri në atë moment, hapësira ishte përdorur nga e djathta postfashiste që kishte shndërruar tërësisht veten në një forcë nacionaliste konservatore me emrin Aleanca Nacionale, në drejtimin e Xhianfranko Finit, një tjetër lideri të pazakontë të kohës, dhe nga populistët, separatist të Liga Nordit, të Umberto Bossit, që donte të shkëpuste veriun e vendit nga Italia.

Pra, kur ndiqje politikën italiane, gjeje jo vetëm ngjashmërira, por edhe zhvillime e një leksion të shpejtë mbi ideologjitë politike, komunikimit masiv, rindërtimit të narrativave politike, politizimit të identiteteve e plotë gjëra të tjera që duhet një jetë për t’i mësuar duke jetuar në vende “normale”.

Berluskoni arriti të “martojë” nacionalizmin e jugut me federalizmin (në mos separatizmin) e veriut, me Polin e tij të Lirisë, duke shpëtuar jo vetëm të djathtën italiane por vetë Italinë.

Jo më kot, njeriu që “shpiku” televizionin privat që praktikohet sot edhe në Shqipëri, që transformoi futbollin italian e europian me Milanin, e që tani doli fituesi e figura kryesore e këtij revolucioni të të djathtës italiane, u bë një idhul jo vetëm për miliona italianë, por edhe për shumë e shumë shqiptarë në anën tonë të Adriatikut.