Prishtinë, 3 korrik 2026 – Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, në rigjykimin e tij për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ’99.
Të premten Bajroviq u shpall fajtor përsëri për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve shqiptarë në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshatrat tjera përreth të Komunës së Istogut në fillim të vitit 1999.
Ai ishte dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata Themelore edhe në korrik të vitit 2024 dhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar atë aktgjykim, por rasti i tij ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, vitin e kaluar.
Sipas aktgjykimit, më 7 dhe 8 maj të vitit 1999, Bajroviq ka marrë pjesë në një aksion të forcave serbe kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat e Istogut, civilët ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe ishin urdhëruar të niseshin drejt Shqipërisë.
Bajroviq i ka ndarë burrat dhe gratë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, i ka plaçkitur dhe më pas forcat serbe i kanë dërguar në një shtëpi në Staradran, ku janë “pushkatuar të paktën 16 civilë të kombësisë shqiptare”.
Sipas gjykatës, më 7 maj të 1999, Bajroviq kishte marrë pjesë edhe në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të kombësisë shqiptare, ashtu që fillimisht të dëmtuarit [burrat] i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore”.
Ndërsa, më 8 maj 1999, forcat ushtarake e policore të c ilave u printe Bajroviq i kanë dërguar t՞ ndaluarit në stacionin policor në Gurrakoc. Aty ishin pyetur e provokuar: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?” dhe ishin fyer.
Aktakuza thotë se më pas civilët ishin dërguar në një shtëpi, ku kishin pushkatuar së paku 16 prej tyre. Vetëm njëri prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse ishte plagosur.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.
Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.
(r.m.)